"Mabetex"-i pranon se ka dashur ta blinte “Yumco”-n nga Serbia

“Ne kemi kërkuar që para se të ofertojmë të kemi fletën poseduese të tokës, mënyrën e ndërtimit me çfarë fonde është ndërtuar, origjinën e pronës dhe mbi të gjitha pëlqimin e AKM-së”, thotë Selim Pacolli. Të gjitha dokumentet janë siguruar pos pëlqimit të AKM-së

Arbana Xharra

Prishtinë, May 25, 2006 – Firma “Mabetex” e Pacollëve është ofertuesi “anonim” që ka provuar që përmes Serbisë ta blejë ndërmarrjen “Yumco” për 4,1 milionë euro. Këtë e pranon edhe vetë Selim Pacolli, vëllai i biznesmenit Behxhet Pacolli.
Ai tregon se Radmilo Gavriq, punëtor i ndërmarrjes “Yumco” e ka njoftuar se kjo ndërmarrje do të dalë në privatizim në Serbi. “Ne kemi kërkuar që para se të ofertojmë të kemi fletën poseduese të tokës, mënyrën e ndërtimit me çfarë fonde është ndërtuar, origjinën e pronës dhe mbi të gjitha pëlqimin e AKM-së”, ka bërë të ditur Pacolli. Ai tha se të gjitha dokumentet janë siguruar pos pëlqimit të AKM-së.
“Drejtori i AKM-së, Jasper Dick, nuk ka lejuar të jepet një leje e tillë, dhe ne e kuptuam që nuk është në rregull dhe as që kemi provuar me tej ta blejmë atë ndërmarrje nga Serbia”, tha Selim Pacolli.
Burime të “Kohës Ditore” në departamentin e privatizimit në AKM-së thonë se Pacollët kanë ofertuar në Serbi duke e dhënë edhe çmimin prej 4,1 milion eurove, “por me kërkesën e zyrtarëve të lartë të AKM-së që të mos kryhen shitjet e ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës në Serbi është ndërprerë shitja e ‘Yumco’-s atje”, tha burimi i KD-së.
Nga ana tjetër, Selim Pacolli thotë se pas shitjes së një pjese të “Yumco”-s zyrtarët e AKM-së me 24 mars të këtij viti i kanë ofruar që ta blejnë me çmimin prej 4,1 milionë eurove këtë ndërmarrje.
“Edhe pse unë nuk kam ofertuar, pasi që është zgjedhur fituesi i kësaj ndërmarrjeje, i cili ka dhënë 2,7 milionë euro, më ka dërguar një e-mail Arten Bajrushi nga departamenti i privatizimit për të më pyetur nëse unë jam edhe më tej i interesuar që ta blej ‘Yumco’-n me çmimin prej 4,1 milionë eurove”, tha Pacolli.
Ai tregon edhe një e-mail që ia kishte dërguar më 24 mars drejtorit të privatizimit, Kirk Adams, në të cilën ai shkruan: “Më ka kontaktuar Arten Bajrushi në emrin tuaj rreth participimit tonë në tenderin për ndërmarrjen shoqërore ‘Yumco’, i cili është shpallur më 10 mars në vitin 2005 në Serbi dhe në të cilin ne jemi shpallur fitues, me ofertë prej 4,1 milionë euro për fabrikën dhe tokën e ‘Yumco’-s”. Në këtë e-mail mes të tjerash, Pacolli thotë se Bajrushi e ka pyetur nëse kompania “Mabetex” është ende e interesuar që të ofertojë për këtë ndërmarrje, me çmimin e njëjtë që kanë ofertuar në Serbi, por që t’i nënshtrohet edhe aprovimit nga ana e bordit të AKM-së.

Zyra ligjore e AKM-së e interesuar t’ia shesë “Yumco”-n “Mabetex”-it

Arten Bajrushi sqaron se kjo ka qenë kërkesë e zyrës ligjore, “për të parë interesimin e tyre për blerjen e ‘Yumco’-s'”.
“Por më pas Pacollët hoqën dorë nga kjo blerje”, tha Bajrushi.
Selim Pacolli thotë se kanë qenë të interesuar deri vonë për këtë blerje.
“Arsyeja për blerjen e kësaj ndërmarrjeje nga kompania jonë është se gjatë luftës në Kosovë, në fshatin Bardhosh, ish-Nëntë Jugoviqët, janë vjedhur makinat e fabrikës së tekstilit, të cilat ishin të instaluara dhe të përgatitura për punë dhe të cilat janë pronë e kompanisë ‘Mabetex’”.
Këtë Pacolli pohon t’ia kenë sqaruar edhe AKM-së.
“Ne kemi informacione të sakta se këto makina janë instaluar në objektin e ndërmarrjes ‘YUMCO’ në Fushë-Kosovë”, tregon Pacolli letrën që i kanë shkruar bordit të AKM-së udhëheqësit e “Mabetex-it”.
Përkundër dëshirës së Pacollëve për ta blerë këtë ndërmarrje, në njërën nga mbledhjet e fundit të Bordit të AKM-së, anëtarët e saj janë përçarë mes vete rreth kësaj shitjeje. Burime të KD-së bëjnë të ditur se ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri, ka këmbëngulur që të mos pranohet kjo shitje.
Më 27 prill, Selim Pacolli sërish i ka shkruar drejtorit të privatizimit, Kirk Adams, për t’i treguar se tërhiqet nga kjo blerje.
“Bazuar në informatat që kemi dhe mosmarrëveshjeve që janë krijuar brenda Bordit të AKM-së, si dhe kohës së humbur gjatë pritjes për marrjen e një përgjigjeje pozitive nga ana juaj, ju njoftojmë se tërhiqemi nga deklarata për mundësinë e blerjes së objektit të YUMCO-s në Fushë-Kosovë”, ka shkruar Pacolli.

Anëtarët vendës të Bordit të AKM-së kundërshtuan shitjen

Gazeta ka pasur në dorë edhe letrën me të cilën Departamenti i Privatizimit në Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit rekomandon që të pranohet oferta e një kosovari dorëzuar në Agjencinë e Privatizimit të Serbisë për të blerë ndërmarrjen “Yumco”, meqë është shumë më e lartë nga ofertat që ka pranuar AKM-ja për të njëjtën ndërmarrje.
Shtylla e Katërt, si dhe AKM-ja patën refuzuar që të zbulojnë identitetin e ofertuesit.
Në letrën që departamenti i privatizimit ia ka drejtuar Bordit të AKM-së në fund të marsit, sqarohet se “pasuritë e Yumco-s në Kosovë janë tenderuar nga Agjencia Serbe e Privatizimit dhe se ofertuesi fitues që është një kosovar, për pasuritë e ofruara në atë tender, ka ofruar mbi 4,1 milionë”.
Pas këtij veprimi, sqarohet në letër, AKM-ja ka parashtruar shkresë dhe ka konstatuar juridiksionin e saj mbi ato pasuri dhe si pasojë është bërë anulimi i tenderit serb. Mirëpo, ajo që ka bërë AKM-ja, pas një “këshille ligjore”, është se ka kontaktuar ofertuesin në tenderin serb dhe i ka ofruar që nëse dëshiron, mund ta blejë “Yumco”-n për 4,1 milionë euro, edhe pse nuk ka marrë pjesë në procedurat e rregullta të tenderimit.
Dy anëtarët e Bordit të AKM-së, ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri, dhe kryetari i BSPK-së, Bahri Shabani, haptazi patën kundërshtuar “çdo shitje të ndërmarrjeve shoqërore kosovare përmes Agjencisë Serbe të Privatizimit”. Asnjëri nga ta nuk deshi të tregojë nëse bëhet fjalë për “Mabetex”-in.

Marrë nga Koha Ditore