Pesë kompani konkurrojnë për “këshilltarë” të MTPT-së

Prishtinë, 24 maj 2006 – Për zgjedhjen e kompanisë këshilluese lidhur me tenderin për operatorin e telefonisë mobile, të shpallur nga Ministria e Transportit dhe Postë-Telekomunikacioni, kanë konkurruar pesë kompani të njohura botërore, ndërkohë përzgjedhjen e njërës prej tyre do ta bëjë një komision i veçantë, i ngritur nga MTPT-ja.

Drejtori i Departamentit të teknologjisë informative dhe telekomunikacionit në MTPT, Agim Kuka tha për KosovaLive se numri i ofertave për kompani këshilluese mund të ndryshojë sepse ende ka mbetur edhe pak kohë për të konkurruar.

Kompanitë të cilat kanë konkurruar në këtë tender janë: “Atkearney” nga Gjermania, “Intech Ac” nga Norvegjia, “AB Stela con”, nga Suedia, si dhe kompanitë “Lator” nga Kroacia dhe “Deloitte” nga Britania.

Qeveria e Kosovës, para 6 javësh ka shpallur tenderin për zgjedhjen e kompanisë këshilluese, e cila do t’i caktojë termat e referencës për pjesëmarrjen e kompanive në tenderin për operatorin e ri të telefonisë mobile, i cili do të shpallet pas zgjedhjes të kompanisë.

Tenderi për operator të dytë të telefonisë mobile në vend, i cili ishte fituar nga konsorciumi “Mobikos-Mobitel” është anuluar nga PSSP-ja për shkak të dyshimit se kishte keqpërdorime gjatë procedurave të tenderimit dhe përzgjedhjes së fituesit.

ECIKS / KosovaLive