Prishtinë, 27 tetor 2007 (Express) – Paralajmërimin e Serbisë se mund të vërë embargo më Kosovën, nëse vendi ynë bëhet i pavarur, zyrtarët qeveritarë dhe komuniteti i biznesit e kanë mirëpritur. Sipas tyre, nga kjo do të përfitonin edhe konsumatorët kosovarë dhe prodhuesit e vendit. Ndërsa në rast të vënies së kësaj embargoje, Serbia do t’i humbë rreth 170 milionë euro që fiton nga Kosova.
Në rast se Kosova shpall pavarësinë e saj pas përfundimit të negociatave, të cilat përfundojnë më 10 dhjetor, Serbia ka mundësi që t’i humbë hiq më pak se 170 milionë euro në vit nga eksporti të cilin e realizon në Kosovë.
Kjo është njëra ndër alternativat e mundshme, pasi qeveria serbe nuk e sheh larg mendsh që të dyfishojë taksat doganore për produktet e Kosovës të cilat shkojnë në Serbi. Nuk përjashtohet as mundësia që shteti serb të vërë embargo ndaj Kosovës, në rast se vendi ynë fiton statusin si shtet. Por iniciativa e serbëve, e cila ende nuk është bërë publike, është mirëpritur nga qeveria e Kosovës.
Sipas zyrtarëve qeveritarë, bllokimi i kufirit mes këtyre vendeve do ta forconte Kosovën, duke dëmtuar Serbinë, pasi që rreth 170 milionë euro Kosova i shpenzon në produktet serbe.
“Rreth 170 milionë euro në vit Serbia i fiton nga Kosova me eksportin që e realizon në vendin tonë. Nëse ata veç marrin vendim për ta bllokuar kufirin me Kosovën, në mënyrë që të mos ketë as eksport e as import, atëherë do të kishin bërë një hap të qëlluar për Kosovën, sepse eksporti i vendit tonë për në Serbi është zero”, tha zëdhënësi i qeverisë Avni Arifi.
Kësaj radhe qëndrim të ngjashëm kanë edhe ekspertët kosovarë për çështje ekonomike, të cilët e konsiderojnë si vendim të dobishëm propozimin e Serbisë për vënie të embargos, por njëkohësisht këto i quajnë gjepura të Serbisë.
“Përdorimi i termit embargo në këso situata tejet interesante, më tepër është një luftë e ftohtë dhe një luftë speciale nga ana e Serbisë. Mirëpo, nëse analizohet e tëra kjo çka thonë ata, se do të vënë sanksione, do të vënë embargo, të gjitha janë gjepura të artit të vet në Serbi. Kosova do të kishte fat nëse Serbia do të vendoste embargo, sepse shteti serb nuk është aq i krisur që t’i humbte këtë burim të të mirave ekonomike që përfiton nga Kosova”, tha Safet Gërxhaliu, shef i departamentit për marrëdhënie me jashtë në Odën Ekonomike të Kosovës (OEK).
Ai ka shtuar se në rast se Serbia merr guximin të bëjë një hap të tillë, atëherë do t’i ndihmonte konsumatorit kosovar. Sipas tij, ekzekutivi i vendit duhet të shohë për alternativa tjera në rast se një gjë e tillë ndodh.
“Këto të gjitha janë spekulime. Por pavarësisht nga kjo, është obligim i qeverisë së Kosovës që të ketë alternativa në këtë rast, nëse do të vinte deri tek një embargo, dëmet sigurisht do të ishin të Serbisë e jo të Kosovës. Por nga kjo sigurisht që do të fitonte edhe konsumatori vendor, sepse do të hapej rruga për tregje të reja, të cilat do të ofronin produkte më kualitative”, u shpreh ai.
Edhe komuniteti i biznesit e quan si zgjedhje me të cilin do të përfitonte Kosova e jo Serbia. “Nëse ndodh ajo që Serbia në mënyrë zyrtare pretendon të vërë embargo me Kosovën, ajo do ta ketë edhe një embargo në veti, do të ketë edhe një reaksion edhe prej vendeve të ndryshme nëse e bën këtë. Realisht importet e Kosovës nga Serbia janë shumë më të mëdha sesa ato zyrtare, ndërsa eksporti i Kosovës për në Serbi është zero”, tha Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB).
Ai ka shtuar se qeveria serbe nuk do të ketë guxim për ta bërë një budallallëk të tillë, duke aluduar në të se shteti serb është shumë i vëmendshëm në çështjet ekonomike.
“Unë mendoj se Serbia është shumë e vëmendshme sa i përket përfitimeve ekonomike. Por nëse e bën një hap të tillë, ajo do të humbë vetë, për Kosovën nuk do të ketë embargo. Kosova do të gjejë alternativa më të mira. Por Kosova duhet ta krijojë një nacionalizëm për produkte vendore, siç e kanë serbët dhe krejt popujt tjerë, të cilët janë nacionalistë ekonomikë”, shtoi ai.
Asnjë nga kosovarët nuk janë shprehur se vendi ynë duhet të marrë një hap të tillë, por nëse iniciativa është e Serbisë dhe ajo implementon atë, atëherë Kosovës nuk do t’i bënte keq një gjë e tillë, ashtu siç edhe mendon Serbia.
“Ne nuk jemi që kufiri të bllokohet, sepse Serbia është fqinji ynë i parë. Por nëse importi i Serbisë do të ishte 300 milionë euro në Kosovë, atëherë eksporti i Kosovës për në Serbi do të duhej të ishte së paku 250 milionë euro. Andaj e them përsëri se ne nuk jemi për këso bllokadash të tilla, por nëse iniciativa është e Serbisë, atëherë vendi ynë do të mundte të importojë edhe nga vendet tjera pa asnjë problem”, tha zëdhënësi i qeverisë, Avni Arifi.
Ndërsa Gërxhaliu është shprehur se në Kosovë nuk do të ketë ndikim negativ embargoja serbe. Ai ka shtuar se rrugët për tregti është vështirë të bllokohen.
“Nuk mund të thuhet se do të ketë impakt aq të madh të ekonomisë kosovare. Ajo më tepër është një përdorim i luftës së ftohtë nga ana e Serbisë sesa një problem real për Kosovën. Tregtia është si uji, depërton aty ku gjen kanalet e veta. Kështu që edhe Kosova do të mund të bënte treg me vende tjera”, tha Gërxhaliu.
Gazeta Express