Mbi 230 milionë euro janë borxhet e tatimpaguesve ndaj Administratës Tatimore dhe përsëri llogaritet se ata kanë kryer punën me sukses. Qindra miliona euro gjoba të pambledhura nga bizneset ilegale e kontraktorët që nuk kanë respektuar kontratat, dhe Qeveria nuk e ka llogaritur se sa humbje i shkakton buxhetit kjo
Syzana Bytyçi
Prishtinë, 31 tetor 2007 – Një menaxher i mirë do ta dyfishonte buxhetin e Kosovës saora. Duke e rrudhur dorën në “mallra e shërbime” të agjencive buxhetore po se po, por më shumë do të fitonte po t’i mblidhte paratë ndër borxhlinj.
Po t’i mblidhte KEK-u mbi treqind milionë euro borxhe, sa e di që i ka ndër konsumatorë, nuk do të kishte nevojë që t’ia shtrinte dorën Qeverisë sa herë do të detyrohej të paguante importet e shtrenjta apo renovimet emergjente. Krahas kësaj do ta edukonte konsumatorin që të jetë më i përgjegjshëm dhe të kryejë obligimet e veta e ta kursejë rrymën. Humbjet teknike, që në përkthim i bie lidhjet ilegale, KEK-u do të mund t’i shndërronte në biznes fitimprurës, duke i gjobitur ata që marrin guximin të lidhen në rrjetin e KEK-ut e të mos i regjistrojnë orëmatësit e tyre.
Paramendoni sa para do të mund të fitoheshin duke aplikuar gjoba ndaj atyre që bëjnë ndërtime ilegale. Vetëm në Prishtinë llogaritet se janë pesëmbëdhjetë mijë sosh. Por komunës as që i shkon mendja ta bëjë këtë. Në disa raste vetëm ka ngritur padi ndaj ndërtuesve ilegalë, padi që marrin vjet të tëra për t’u zgjidhur. Madje Komuna e Prishtinës as nuk ka caktuar se sa do të ishin gjobat për ata që e kanë shndërruar kryeqytetin në kaos urbanistik.
Gjysma e pompave të benzinës në Kosovë punojnë pa licencë, e gjobat për ato që e bëjnë këtë shkojnë deri në njëqind mijë euro. Po të aplikonte ndëshkimin maksimal ndaj tyre, Qeveria do t’ia shtonte buxhetit 26.5 milionë euro. E pastaj do të mund ta përgjysmonte numrin e tyre dhe kështu t’i parandalojë katastrofat natyrore dhe rrezikun për njerëzit që jetojnë në afërsi të pompave të ndërtuara në zonat e banuara. Në të njëjtën kohë do të ishte më e lehtë për inspektorët që të vizitojnë më shpesh pompat e të kontrollojnë cilësinë e karburanteve, për të siguruar që vozitësit nuk blejnë naftë industriale në vend të dizelit.
Ata që kanë para të ndërtojnë hotele e restorante, pse të mos paguajnë për licenca e taksa. Pse të tolerohen pronarët e lojërave të fatit?
Kushedi edhe sa kilometra rrugë cilësore do të ishin shtruar po t’i ndëshkonte Ministria e Transportit kompanitë që nuk ia kryejnë punët me kohë. E sa të tjera prej atyre që nuk kanë shtruar asfaltin me kualitetin e premtuar.
Pse të mos ndëshkohen ata që mashtrojnë konsumatorin. Me siguri asnjë furrë nuk do të kishte shpëtuar pa u gjobitur po të viheshin inspektorët në aksion e t’u masnin bukët.
Mirëpo kjo nuk ndodh. Arsyetimi zyrtar është gjithnjë i njëjtë: Nuk kemi mjaft inspektorë për të mbuluar tërë bizneset. Madje Ministria e Financave as që ka llogaritur se sa para humbet buxheti nga gjobat e pambledhura e taksat e papaguara.
Po të kishte vendi një menaxher të mirë, ai nuk do të mjaftohej me konkludimin se “në Kosovë nuk respektohet ligji”. Nuk do t’i mbyllte sytë e të harronte depozitën prej 16 milionë eurosh që fituesi i tenderit për licencë të dytë të telefonisë mobile nuk ia ka paguar kurrë buxhetit. Do të krijonte mekanizmat për ta forcuar ligjin, do të angazhonte më pak shoferë, sekretarë e sekretaresha e më shumë inspektorë. Nuk do të lejonte që qarkullimi i ekonomisë joformale të jetë sa tërë buxheti i Kosovës. E më e pakta, do ta dinte se kush dhe sa i ka borxh.
Koha Ditore