Llamkos: Pagat, si para privatizimit

Eksporti i sivjetmë pritet të arrijë 78 milionë euro

ENIS VELIU

Pas privatizimit të “Llamkosit” në Vushtrri, nga një kompani bullgare, numri i punëtoreve është rritur edhe për 60 veta. Pagat kanë mbetur të njëjta, sikur para privatizimit, kur aty është punuar vetëm dy javë në muaj.

“Janë të punësuar 383 veta, kurse paga mesatare mujore është 185 euro. Pronari këto i konsideron paga të plota. Me menaxhmentin jemi marrë vesh që numri i punëtoreve të rritet, ndërsa pagat mbesin ashtu siç janë”, tha Luan Berisha, menaxher.

Sipas tij, reduktimet e energjisë elektrike kanë sjellë probleme të mëdha në fabrikë.

“Vetëm një ndërprerje e rrymës na shkakton dëm 10-15 mijë euro, sepse prishet e tërë llamarina në procesin e përpunimit. Pas privatizimit dhe pas përmbushjes së obligimeve ndaj KEK-ut, nuk ka reduktime të shpeshta”, thotë ai.

Berisha thotë se pas privatizimit, kanë planifikuar që të prodhojnë 17 tonë llamarinë për tre muaj, por për shkak të problemeve me rrymë kjo nuk është arritur.

Berisha thotë se lëndën e parë e importojnë nga Bullgaria, ndërkaq të gjitha prodhimet eksportohen në Maqedoni, Kroaci, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe vende të tjera të Evropës.

“Me disa kompani në Serbi kemi bërë kontrata, që sivjet atje të eksportojmë diku 28 mijë tonë llamarinë”, shtoi ai.

Eksporti i sivjetmë pritet të jetë rreth 78 milionë euro.

Kapaciteti vjetor i fabrikës është deri në 150 mijë tonë llamarinë.

Ndërkaq, sipas Berishës, fabrika momentalisht prodhon diku deri në 10 tonë në muaj.

Marrë nga Gazeta Lajm 24 mars 2006