Plassnik: Integrimi i Ballkanit në BE nuk ka ngrirë

Ministria e Jashtme e Austrisë mohon deklaratat për një ndalim të procesit të integrimit për vendet e Ballkanit

Vjenë, 27 mars 2006 – Pas deklaratave të bëra në disa media se vendet e Evropës Juglindore nuk do të kenë mundësinë që të integrohen në Bashkimin Evropian për një periudhë të pacaktuar, dje është mohuar kjo. Ka qenë përfaqësuesja e vendit që kryeson punën e BE-së për këtë gjashtëmujor, e cila ka mohuar deklaratën për një ngrirje të procesit të integrimit për vendet e Ballkanit. Kështu, dje ministria e Jashtme e Austrisë, vend i cili edhe ka radhën e kryesimit të BE-së deri në korrik, është shprehur se Austria ka mbështetur gjithnjë afrimin e vendeve të Evropës Juglindore në BE. Në përforcim të deklaratës së saj, Ursula Plassnik përmendi dhe mbledhjen e zhvilluar para dy javësh në Salzburg me përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Mbledhje në të cilën u bë e ditur se së shpejti të gjithë mund të jenë pjesë e Bashkimit Evropian. Duke mohuar zërat se është ngrirë procesi i integrimit të vendeve të Evropës Juglindore në Bashkimin Evropian, dje ministrja e Jashtme austriake, Ursula Plassnik, tha se “ajo personalisht ka qenë gjithmonë avokate e një afrimi të vendeve të Evropës Juglindore në BE, hap pas hapi dhe vend pas vendi, secili në bazë të meritave, përparimeve dhe problemeve me të cilat ndeshet”. Ajo sqaroi se pikërisht për të nxitur këtë afrim presidenca austriake e Bashkimit Evropian organizoi dy javë më parë edhe një mbledhje të posaçme në Salzburg me pjesëmarrjen e ministrave të Jashtëm të vendeve të BE-së me ata të Ballkanit Perëndimor, ku u konfirmua ardhmëria evropiane e të gjitha vendeve të Evropës Juglindore, e shprehur edhe më parë me forcë gjatë samitit të Selanikut. Kjo perspektivë u ripohua edhe në Salzburg. Këtij qëllimi i ka shërbyer dhe vazhdon t’i shërbejë edhe sot procesi i Asociim Stabilizimit.

Por, njëkohësisht BE-ja është e mendimit se duhet të forcohet edhe më shumë bashkëpunimi rajonal atje, pasi ky bashkëpunim ndihmon jo vetëm përparimin ekonomik, por ai ndikon edhe në pajtimin dhe paqësimin e këtij rajoni – deklaroi ministrja e Jashtme austriake.

“Qëllimi përfundimtar, që u ripohua edhe në Salzburg, mbetet integrimi i plotë i vendeve ballkanike në Bashkimin Evropian”, është shprehur dje Ursula Plassnik.

Deklarata e ministres së Jashtme të Austrisë është bërë në përfundim të punimeve të kryetarëve të shteteve dhe qeverive të 25 vendeve anëtare të BE-së. Ndërkohë, pritet që vizat për në BE, që do të merren nga shtetet e Evropës Juglindore të shtrenjtohen. Ka qenë përfaqësuesja e Komisionit Evropian, Maria Asensius, e cila ka deklaruar se që nga muaji prill vizat që do të lëshohen në Ballkanin Perëndimor do të shtrenjtohen në 60 euro, nga 35 që është pagesa aktuale. Po për vizat, Oli Rehn ka deklaruar se po shihet mundësia për lehtësimin e procedurave për pajisjen me viza të qytetarëve të këtyre shteteve.

ECIKS / Shekulli