Kërcënimi nuk konfirmohet, “MAKOS” shpërbëhet

Ditën kur skadoi afati për pagesën e hotelit “Grand” dhe “Iliria”, shpërbëhet blerësi i përkohshëm – “LTD Makos”. Nga ky subjekt kanë lindur “Makos – Grand” dhe “Makos – Iliria”, të cilat janë regjistruar në Zyrën e regjistrimit të bizneseve me lejen e kreut të privatizimit në AKM, Kirg Adams

YLLI KALOSHI

Askush në policinë e UNMIK-ut dhe të SHPK-së, dhe as në Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit, nuk ka dhënë ndonjë informatë se a janë të vërteta pohimet e konzorciumit “Makos”, blerësit të hotelit “Grand”, se tërheqja e tyre nga privatizimi i kësaj ndërmarrjeje shoqërore është bërë për shkak të kërcënimeve. Ekrem Tahiri, zëdhënës i AKM, tha se janë organet e drejtësisë ato që do t’i vërtetojnë thëniet e blerësit. Në SHPK, zëdhënësi Agron Borovci thotë shkurt së policia është duke e hetuar rastin.

Por, burime të “Lajmit” thonë se ekziston mundësia e mosmarrëveshjeve në mes themeluesve të “LTD Makos”, e cila e fitoi tenderin për dy hotelet. Sipas dokumentacioneve të siguruara nga gazeta , shihet se “LTD Makos” ka ndryshuar listën e themeluesve të saj më 22 të këtij muaji. Pikërisht kjo datë shënon 20 ditë që nga shpallja e fituesit dhe afatin e fundit për t’i paguar paratë për dy hotelet.

“LTD Makos” është regjistruar në Zyrën e Regjistrimit të Bizneseve në MTI, më datën 7 shkurt të këtij viti, ndërsa themelues të saj ishin: Nexhmi Rexha, Nail Reshidi, Gazmend Abrashi, Habib Jakupi, Jashar Fazliu, Taip Fikri dhe Hotel “Metropol” nga Ohri i Maqedonisë. Të parët në kompani kanë futur kapital nga 816 euro, ndërsa “Metropoli” – 5 mijë e 100 euro, kurse totali i kapitalit themelues të kësaj firme kapte shumën 10 mijë euro.

Në ndërkohë ndryshon marrëveshja. Nga firma “LTD Makos” krijohen dy të tjera: “Makos – Iliria” dhe “Makos – Grand”. Aplikimi për regjistrim është bërë më 17 mars, ndërsa më datë 22 ato evidentohen në librat e Zyrës për Regjistrimin e Bizneseve. Subjekti i ri “Makos – Grand” ka kapital 2 mijë e 500 euro, ndërsa themelues janë: Hoteli “Metropol”, Habib Jakupi, Nail Reshidi dhe Gazmend Abrashi, i cili caktohet personi i autorizuar. Me kapital të njëjtë regjistrohet edhe “Makos – Iliria”, me themeluesit hotelin “Metropol”, Jashar Fazliun, Habib Jakupin, Gazmend Abrashin, Taip Fikriun , kurse personi i autorizuar është Nail Reshidi.

Bashkëthemeluesi i LTD Metropol, Nexhmi Rexha, nuk figuron te asnjëri prej këtyre dy subjekteve. Është interesante fakti se kapitali i krijimit të këtyre dy subjekteve është përafërsisht sa pjesëmarrja e Metropolit të Ohrit në subjektin pjesëmarrës në tender, Makos LTD.

Asnjë nga këta themelues nuk ka pasur qasje në telefon të premten.

Shefi i Zyrës së Regjistrimit, Haxhi Rama, tha se regjistrimi është bërë sipas procedurave dhe pas konsultimeve me AKM-në. Ai nuk tregoi se cili zyrtar në AKM ka lejuar regjistrimin e këtyre subjekteve, të cilat gjatë kohës së zhvillimit të procedurave të tenderit të AKM-së fare nuk kanë ekzistuar. “Lajm” ka siguruar një shkresë të nënshkruar nga drejtori i Departamentit të Privatizimit, Kirg Adams, i cili e lejon këtë regjistrim.

“AKM-ja mendon se nuk ka ndonjë pengesë nga “Makos LTD” që të krijohen këto dy subjekte të reja”, shkruan Adams.

Ai ka thënë se AKM-ja do të vazhdojë procesin e privatizimit të “Grandit” dhe “Ilirisë” me subjektet e reja.

Zëdhënësi i AKM-së, Ekrem Tahiri, tha se nuk ka njohuri për këtë ripozicionim të ofertuesit për dy hotelet e kryeqendrës. Ndërkaq zëvendësdrejtori Ahmet Shala tha shkurt se kjo është lejuar nga AKM-ja, pasi, sipas tij, nuk bie në kundërshtim me rregullat e privatizimit.

Pas këtij ndryshimi të themeluesve të konzorciumit “Makos LTD” dhe krijimit të dy subjekteve të reja, ka ndodhur tërheqja e “Makos – Grandit” nga tenderi, ndërkaq ka mbetur ende në lojë “Makos – Iliria”.

Nuk është hera e parë që AKM-ja lejon ndryshimin e themeluesve të konzorciumeve që fitojnë tenderët e privatizimit. Kjo ishte lejuar edhe me rastin e shitjes së “Ferronikelit”.

Nuk ka para as për “Ilirinë”

Blerësi i përkohshëm i hotelit Iliria, “Makos Iliria”, nuk e ka kryer pagesën të premten, në ditën e fundit të afatit 20- ditësh që i ka caktuar AKM-ja. Zëdhënësi i AKM-së, Ekrem Tahiri, tha se nuk ka ndonjë informatë se janë dhënë paratë, por ai tha se AKM-ja do të presë edhe 3 ditë.

“Në rast se pagesa bëhet nga jashtë Kosovës, atëherë transferi merr kohë 2-3 ditë. Kështu që ne po presim nëse ka ndodhur një gjë e tillë”.

Ai tha se do të kërkohen dëshmi nëse është bërë pagesa në konton e AKM-së më datë 24.

Shabani: Shkelet rregullorja e AKM-së

Kreu i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Bahri Shabani, dhe anëtar i Bordit të AKM-së, i pyetur për ndryshimin e konzorciumit “Makos LTD” dhe për vazhdimin e procesit të privatizimit me subjektet e reja, tha: “Makos – Grand” dhe “Makos – Iliria”, të cilat nuk kanë marrë pjesë në tenderin, thotë se kjo është në kundërshtim me rregulloren e AKM-së.

“Çdo ndryshim i aksionarëve të blerësit të shpallur me tender është i palejueshëm. Bordi nuk ka marrë vendim për këtë, ndërsa ndryshime mund të bëjë vetëm ai dhe askush tjetër”, tha Shabani.

Ai tha se nuk është hera e parë që AKM-ja bënë tolerime të tilla.

Marrë nga Gazeta Lajm 24 mars 2006

This website uses cookies to improve its performance and the relations with its audience. For more information on data protection see our Privacy Policy.