TIRANE, 17 TETOR 2003 – Televizionet shqiptare dje u përballën me rregullat e reja të ligjit kundër piraterisë televizive. Po dje 6 televizione private në rrethe janë gjobitur. Nëse ata vazhdojnë të transmetojnë privatisht, atëherë do mbyllen. Ligji i shumëdiskutuar, që në fakt kishte hyrë në fuqi që në shtator, u bë praktik duke nisur që dje. Televizioneve shqiptare u munguan filmat, dokumentarët, ndeshjet dhe programet e tjera të vjedhura nga transmetimet satelitore.
Vetëm TV Klan, Top Channel,News24 dhe disa televizione të tjera vazhduan transmetimet e një dite të zakonshme me një program me të drejta të siguruara. Ndërsa shumë prej operatorëve të tjerë televizivë shfaqën në ekranet njoftimin për rifillimin e mëvonshëm të transmetimeve. Kjo gjë justifikonte mungesën e filmave apo programeve të tjera televizive, të blera rregullisht e me të drejta të plota, që nuk ekzistonin në fondin e tyre.
Rregullat e reja kundër piraterisë televizive i detyruan televizionet shqiptare të mos rrezikojnë duke transmetuar programe pa të drejtat e autorit. Pavarësisht se kjo “i heq” publikut shumë filma, ndeshje e dokumentarë nga “menuja e përditshme televizive”, kështu sigurohen më shumë mundësi për një konkurrencë të ndershme mes televizioneve. Ligji kundër piraterisë tenton të orientojë operatorët televizivë pikërisht drejt një tregu të ndershëm. Rregullat e reja kanë për qëllim të sfumojnë kaosin e krijuar vitet e fundit në Shqipëri nga televizionet që transmetonin në çdo moment programe të vjedhura. Vetëm e vetëm për tërheqjen e audiencës në ekranet e televizioneve shqiptare u shfaqën filma që nuk ishin parë ende as në kinematë europiane, ndeshje që shkaktuan konflikte dhe dokumentarë të regjistruar vjedhurazi. E gjithë kjo rriti audiencën në ekranet e “televizioneve kioska” dhe uli audiencën e televizioneve që respektonin të drejtat e autorit.
Në këto kushte, konkurrenca u bë e vështirë, e padrejtë dhe jo e ndershme. Që dje, ligji i ri kundër piraterisë nisi të funksionojë. Ndërprerja e transmetimeve dhe ulja e orëve të programit për televizionet kioska e tregoi qartë se shumë prej tyre do ta kenë të vështirë t’i rezistojnë ligjit të ri. Ndërsa, televizionet që përveç programit i kushtojnë rëndësi edhe burimit të tij do të kenë mundësi të paktën të konkurrojnë ndershëm.
ECIKS / News 24