Tiranë, 17 shkurt 2005 – Projektligji që përcakton ndalimin e pirjes së duhanit në vende publike, cënon interesat e industrisë multimiliardere të cigareve. Një ligj i cili do të kishte ndikime në uljen e konsumit të duhanit si dhe numrit të duhanpirësve, do të thoshte më pak fitime për gjigantët e kësaj tregtie në vend. Ulja e konsumit të duhanit nuk i vlen as qeverisë, pasi të ardhurat nga kjo industri për buxhetin e shtetit janë nga më të lartat, pavarësisht kontrabandës që zë një rol të rëndësishëm historik në këtë industri lobingjesh. Projektligji synon të menaxhojë të gjithë tregtinë e duhanit, por kryesisht shitjet me pakicë, duke kufizuar shitësit, aftësitë për të bërë marketing në mënyrë të pakufizuar, si dhe kufizimin e sipërfaqes ku do të lejohet të pihet duhani, jo vetëm në ndërtesa publike, por edhe në ato private. Projektligji kërkon që në të gjitha baret dhe restorantet ekzistuese të merren masa brenda gjashtë muajve nga miratimi i ligjit në mënyrë që sipërfaqja ku pihet duhan të mos e kalojë 35% të sipërfaqes së lokalit. Kjo pikë në të ardhmen do të jetë dhe një nga kërkesat kryesore para licensimit të një bari apo restoranti, ku do të kërkohet të ketë ambiente të veçanta dhe të ndara për ata që pijnë duhan. Ligji i ri parashikon masa të rrepta për parandalimin e duhanit dhe mospirjen e tij në të gjitha ambientet publike, përfshi këtu transportin publik, mjediset e mësimdhënies, mjediset sportive, shëndetësisë dhe të gjithë administratës publike. Nga ana e specialistëve bëhet e ditur se nëse projektligji miratohet dhe njëkohësisht ai gjen zbatim, atëherë ndikimi në numrin e duhanpirësve si dhe në sasinë e duhanit të konsumuar do të jetë i ndjeshëm.
Ligji dënon shitjen e cigareve minorenëve
Ligji do të ndalojë shitjen, dhënien apo furnizimin me produkte duhani të personave nën moshën 18 vjeç. Të gjitha pikat e shitjes së duhanit janë të detyruara të afishojnë tabela të dukshme dhe të lexueshme ku të shkruhet “Ndalohet shitja e produkteve të duhanit personave nën 18 vjeç”. Gjithashtu ligji ndalon shitjen e produkteve të duhanit në të gjitha institucionet shëndetësore publike dhe jo publike, institucione arsimore publike jopublike si dhe në institucionet sportive. Nuk do të lejohen në Shqipëri makinat shitëse automatike si dhe shpërndarja e produkteve të duhanit nëpërmjet shërbimit postar.
“Stop” reklamave në media
Një nga synimet kryesore të këtij ligji do të jetë edhe ndalimi i reklamave të produkteve të duhanit në median elektronike dhe atë të shkruar, në institucione shtetërore si dhe në ato publike dhe jopublike, në mjetet e transportit përjashto këtu ato që merren me shpërndarjen e produkteve të duhanit. Ndalohet gjithashtu tregtimi i mallrave që nuk janë produkte duhani, por reklamojnë marka të duhanit në to.
Miliardat e harxhuara për të bërë tym
Rreth 270 milionë dollarë amerikanë harxhojnë shqiptarët për konsum duhani në vit. Megjithëse vendi ynë ka mundësi për të pasur një industri të mirëfilltë cigaresh, e cila do të mund të përballonte kërkesat e brendshme për konsum. Por kjo mundësi është shkatërruar si pasojë e politikave diskriminuese që qeveria ka ndërmarrë ndaj biznesit vendas të këtij produkti. Dy të tretat e sasisë së cigareve në Shqipëri janë kontrabandë. Shqipëria është një nga vendet që shoqëron numrin më të madh të duhanpirësve në raport me numrin e popullsisë në Europë. Rreth 60 për qind e popullsisë janë konsumatorë të rregullt të duhanit.
Aktualisht në vend konsumohen rreth 10 mijë ton cigare nga të cilat vetëm 2 mijë e 500 deri në 3 mijë ton në vit hyjnë në tregun shqiptar në mënyrë të rregullt.
ECIKS / Shekulli