Licencohen kompanitë për grumbullimin e mbeturinave

Prishtinë, 30 nëntor 2005 – Autoritetet kosovare kanë licencuar sot 13 kompani publike për grumbullimin e mbeturinave në Kosovë. 7 kompanitë regjionale dhe 6 komunale do të shërbejnë për rreth 1 milionë e 400 mijë banorë në zona urbane. Shpresohet që me këtë akt të krijohet një ambient më i pastër për qytetarët.

Nxjerrja e ligjit për mjedis dhe e ligjit për mbeturina është një hap i rëndësishëm në përmirësimin e sektorit të mbeturinave. Kontribut të veçantë ka dhënë edhe zyra rregullatore për ujë dhe mbeturina e cila sot ka licencuar 13 kompani publike për grumbullimin e mbeturinave. Drejtori i kësaj zyre Afrim Lajçi, shpreson se me këtë akt do të arrihet një shërbim i pranueshëm për konsumatorët. Ministri i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Ardian Gjini, tha se përkundër investimeve të mëdha në këtë sektor, nuk janë arritur rezultate të mëdha, duke përmendur edhe mungesën e inkasimit. Sfidë me të cilën ballafaqohet vendi ynë është edhe pagesave e shërbimeve, për të cilën shefi i shtyllës së IV të UNMIK-ut Joachim Ruecker dha vërejtje konkrete. Kontribut të veçantë në këtë sektor ka dhënë Agjencia Evropiane për Rindërtim me rreth 35 milion euro investime. Është bërë e ditur, se në ndërtim e sipër janë edhe 9 deponi moderne që do të zëvendësojnë deponitë e vjetra.

ECIKS / RTK