Prishtinë, 10 maj 2007 – Inkubatori virtual i biznesit quhet programi i ri të cilin sot e lancoi në Prishtinë, Instituti për Hulumtime Zhvillimore- RIINVEST në bashkëpunim me Agjencinë Amerikane për Zhvillim.
Inkubatori Virtual i Biznesit do të ndihmojë të rinjët, punëkërkuesit, studentët, njohësit e internetit dhe webfaqeve që nëpër mes këtij programi të ofrojnë shërbimet e tyre që nga përkthimet e deri te projektet e ndërlikuara kërkimore, tha kryetari i RIINVEST-it, Muhamet Mustafa.”Ju mund të jeni në Kosovë, por mund të kryeni një punë për kompani dhe individë të rëndësishëm për institute kërkimore në gjithë botën. Ne krijojmë një infrastrukturë virtuale e cila bën të mundur kryerjen e punëve në Kompani të mëdha dhe ne shpresojmë se kjo me kohë do të zhvillohet dhe Kosova duke pasur parasysh strukturën e re të popullsisë, edukimin e njerëzve tanë dhe aftësitë për të komunikuar në anglisht do të krijojë mundësi të mëdha për punësim”, tha Mustafa.
Ai theksoi se është suskses për inkuadrimin e Kosovës në një projekt të tillë i cili mbështetet nga Agjencia amerikane për zhvillim ndërkombëtar, USAID-i dhe i cili lancohet në të gjitha vendet e rajonit. Inkuadrimi i biznesit në një program të tillë, tha Mustafa do të ndihmojë organizatat në uljen e shpenzimeve të tyre dhe do të krijojë fleksibilitet që ato të jenë konkurente në tregun global.
“Unë shpresoj se me një punë të përbashkët në këtë drejtim, Kosova mund të hyjë shumë më seriozisht e unë mund t’iu them se kjo fushë është ardhmëria e Kosovës. Zhvillimi i suksesshëm është nëse ne jemi vetëm të pranishëm në botën e teknologjisë informative dhe nëse këtë teknologji e përdorim që burimet tona t’i fisnikërojmë dhe t’i shesim me një konkurencë më të madhe në tregun e jashtëm”, tha Mustafa.
Ngritja e kapaciteteve dhe organizatave që merren me këtë punë ka shtyrë RIINVEST-in që të lancojë një program edukimi në Kosovë të fokusuar në një softuer ingjiniering. Ne kemi ambicie që të shtyjmë të rinjët tanë që të bëhen prodhues të softuerit, tha Mustafa. Inkubatori, do të krijojë mundësi punësimi për të rinjët kosovar që ata të mos kërkojnë të dalin jashtë vendit, tha Xhenifer Tika nga USAID-i.
ECIKS / RTK