Çeku: Mbështeteni ekonominë e Kosovës

TIRANË 10 MAJ – Tashmë që pavarësia e Kosovës është shumë afër, Kosova ndjehet e përgatitur për të përballuar sfidat ekonomike, me të cilat do të përballet shteti më i ri i Ballkanit, ka thënë kryeministri i Kosovës, në Tiranë, të enjten në Forumin e “Crans Montana”.

Çeku ka thënë se integrimi euroatlantik ku do të kërkojë të operojë Kosova, pas përcaktimit të statusit, duhet të shoqërohet me rritjen e investimeve, dhe me një situatë më të favorshme ekonomike. Në fjalën e mbajtur në Forumin e lartë të nivelit ekonomik, Crans Montana, që po mbahet në Tiranë, kryeministri i Kosovës Agim Çeku ka kërkuar nga të pranishmit që ta shohin Kosovën si një vend ku mund të vendosin investimet e tyre në të ardhmen, gjë e cila do ta ndihmonte vendin për t’u zgjuar nga kriza ekonomike.

Forumi i lartë ekonomik zhvillon punimet për herë të dytë në Tiranë, ku marrin pjesë ekspertë dhe personalitete të larta të Qeverisë shqiptare. Në qendër të debatit të së enjtes ka qenë rritja e potencialeve ekonomike të Shqipërisë, gjë e cila do ta ndihmonte këtë të fundit të afrohej më shumë me aspiratat e saj për t’iu bashkuar Evropës.

Kryeministri, Sali Berisha, i cili ka përshëndetur këtë forum ka thënë se “Shqipëria ka bërë hapa të sigurta drejt objektivit të saj më madhor për të qenë vendi më mikpritës dhe më i sigurt për investitorët”. Duke vënë në pah ndryshimet me të cilat e gjen ky forum i lartë Shqipërinë këtë vit, ai ka vënë në pah firmosjen e marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me BE-në. Sipas tij tashmë vendi është “një Shqipëri, e cila po punon intensivisht për zbatimin me seriozitet të marrëveshjes Ad-Interit me BE”.

”Një vend, i cili ka dhënë prova të qarta të kontributit në sigurinë e brendshme, atë rajonale dhe më gjerë, dhe çka meritoi të merrte mesazhin e Samitit të Rigës si një nga vendet potencialisht të mundshme për anëtarësim në Nato, në Samitin e Bukureshtit. Por Shqipëria e këtij viti është një Shqipëri mjaft e ndryshuar në rrafshin ekonomik, një Shqipëri që ka bërë hapa të sigurta drejt objektivit të saj më madhor për të qenë vendi më mikpritës, vendi në të cilin ju të zbatoni me lehtësinë më të madhe, me shpejtësi të madhe, me sigurinë më të plotë, projektet dhe ëndrrat tuaja”, ka thënë Berisha.

Kreu i Qeverisë ka pohuar ndryshimet në sistemin fiskal, uljen me 30% të sigurimeve shoqërore, uljen e çmimit të energjisë për biznesin, eliminimi në një farë mase i burokracisë, një fenomen i njohur ky në Shqipërinë e këtyre viteve. Sipas kryeministrit “në vitin 2006, krahasuar me vitin 2004, investimet e huaja u rritën 4 herë, të marra për frymë – ato kanë qenë 28 dollarë për frymë dhe arritën në 130 dollarë për frymë.

“Shqipëria ofron realisht mundësi të mëdha. Është një vend me stabilitet makroekonomik të admirueshëm, treguesit e saj makroekonomikë janë identikë me Finlandën. Ka një rritje ekonomike rreth 6 %, një inflacion prej 2,4 %, një deficit buxhetor 2,6 %. Pozicioni gjeografik i saj duhet të shndërrohet në një mundësi për të përfituar një rritje të ndjeshme ekonomike”, ka thënë Berisha.

Marrë nga Koha Ditore