Kuvendi miratoi në parim projektligjin për OEK-un

PRISHTINË, 12 Dhjetor 2003 – Kuvendi i Kosovës në seancën e sotme aprovoi në parim me shumicë votash, Projektligjin për Odën Ekonomike të Kosovës, ndërkohë që dje Aleanca Kosovare e Biznesit e ka kundërshtuar këtë projekligj.

Edhe përkundër kërkesës së djeshme të Aleancës Kosovare të Biznesit që Kuvendi i Kosovës të mos shqyrtojë Projektligjin për Odën Ekonomike, ai u miratua në parim me shumicë votash nga depuetët.

Ministri i Ekonomisë e Financave, Ali Sadriu, ka sqaruar se ky Projektligj do ta rregullojë organizimin dhe funksionimin e subjekteve ekonomike në Odën Ekonomike, e cila është hallkë e rendësishme ekonomike për secilin vend. Ai ka pohuar se OEK ende funksionon në saje të ligjit të Serbisë, prandaj është e nevojshme që funksionimi i saj të jetë në përputhje me sistemin e ri ekonomik, duke krijuar kushte që subjektet ekonomike të bashkohen në të me qëllim të realizimit të intereseve të tyre ekonomike.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, pas një debati të gjatë, miratuan në parim Projktligjin për Odën Ekonomike të Kosovës.

ECIKS / Balkanweb