Kundërshtime për pasuritë e Kosovës

Prishtinë, 27 janar 2006 – Ndërkombëtarët parashohin që në vitin 2007 të përfundojnë edhe me privatizimin e minierave në Kosove. Agron Dida, zëvendësministër i Energjisë dhe Minierave, tha se gjigantit Trepça i duhen edhe disa vjet për të qenë i gatshëm për privatizim. Ndërsa anëtari i Bordit të AKM dhe kryetar i BSPK, Bahri Shabani, është kundër mënyrës së si zyrtarët e AKM parashohin ta privatizojnë atë.

Zyrtarët nga Shtylla IV e UNMIK shpresojnë që në vitin 2007 të përfundojnë edhe privatizimin e minierave në Kosovë. Angela Griep nga ky institucion ndërkombëtar, që merret me çështjet e ekonomisë në Kosovë, tha se së shpejti Agjencia Kosovare e Mirëbesimit(AKM) do të paraqesë një kërkesë për një administrator që do të menaxhonte këto miniera dhe i cili do të emërohet nga dhoma speciale.

“Administratori me hyrjet nga AKM dhe aksionarët tjerë, përfshirë edhe PISG, do të përgatisë një formulë për riaftësimin e Trepçës që përfshin sjelljen e investitorëve të huaj dhe privatizimin e pasurive të saj”, tha Griep.

Megjithatë, sipas Griep, ky është një proces kompleks pasi që investitorët e interesuar potencialë duhet të harxhojnë një sasi të madhe kohe dhe të hollash gjatë kryerjes së hetimeve, në mënyrë që të vendosin se cilat pjesë të Trepçës janë më fitimprurëse dhe deri në çfarë shume parash ata janë në gjendje të paguajnë.

“Mbesim me shpresën se privatizimi do të përfundojë në vitin 2007”, tha më tej Griep. Edhe shefi i shtyllës IV të UNMIK, Joachim Ruecker, gjatë një konference për shtyp në përfundim të vitit 2005 ka thënë se fillimi i punëve në Trepçë e dërgon këtë gjigant drejt privatizimit.

“Punët e filluara në Trepçë do ta mundësojnë që të fillojnë edhe përgatitjet për privatizimin e saj”, pat thënë Ruecker.

Mirëpo futja në privatizim e dy minierave tjera, të Goleshit dhe atë të Strezovcit, nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit(AKM) duket se po e bën edhe më të pasigurt fatin e tyre. Këto dy miniera së bashku me disa nga ndërmarrjet shoqërore më të mëdha në vend kanë dështuar të hyjnë që në fazën parakualifikuese të procesit të privatizimit, për shkak të numrit të vogël të interesuarve për të ofertuar për to.

Në anën tjetër, Ministria e Energjisë dhe Minierave(MEM) përveç dy minierave të cilat i ka futur në privatizim AKM, nuk dëshirojnë që të përshpejtohen procedurat sa u përket edhe minierave tjera.

Agron Dida, zëvendësministër, tha se përveç këtyre dy minierave nuk do të ketë miniera tjera që do të hyjnë në privatizim.

“Njëherë përnjëherë nuk do të futen miniera tjera për t’u privatizuar”, tha Dida. Dida tha se koncepti i kësaj ministrie dhe i qeverisë është që minierat të rifillojnë punën së pari.

“Për t’i vënë në lëvizje këto resurse nevojiten investime shumë të mëdha dhe buxheti i Kosovës jo vetëm sivjet, por edhe në dy vitet e ardhshme nuk do të jetë në gjendje të bëjë investime kapitale. Pasi që nuk ka mundësi që këto resurse të vihen në funksion me mjete vetjake, atëherë ne mendojmë se investimet nga jashtë që është edhe rekomandim i dokumenteve dhe studimeve të ndryshme të Bankës Botërore për Kosovën”, tha Dida.

Këto dokumente, sipas tij, japin një zgjidhje të mirë për investime private të drejtpërdrejta nga jashtë. “Në këtë drejtim edhe Trepça është një nga kandidatët në të ardhmen, mirëpo ne kemi shkuar me një strategji shkallë-shkallë, ku ne kemi lëvizur këto resurse, sepse kur fillon punën një minierë, ajo do ta ketë një vlerë tjetër në krahasim më atë nëse do të rrinte pa u futur në funksion”, tha më tej Dida.

Duke folur rreth Trepçës, Dida tha se edhe këtij gjiganti do t’i vijë dita kur do të privatizohet. Ky proces, sipas tij, do të ndodhë pas disa vitesh.

“Natyrisht edhe privatizimi do të vijë me kohë, por në vitet e ardhshme dhe këtë do ta bëjë një agjenci tjetër që do të jetë nën menaxhim të vendorëve. AKM ka për detyrë që të bëjë privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore(NSH) në këtë mes bën pjesë edhe Trepça, mirëpo kjo do trajtohet me një mënyrë më të veçantë për shkak të rëndësisë që ka si një prej gjigantëve që ekonomia e Kosovës gjithmonë është mbështet në të dhe ne prapë mendojmë se ka një vlerë të tillë potenciale”, u shpreh i bindur Dida.

Ai tha se në Trepçë është duke u punuar dhe është duke u prodhuar. Njëjtë është duke ndodhur edhe në minierën e Artanës.

“Ne jemi duke bërë përpjekje që të gjejmë fonde për të futur në funksion edhe minierat tjera. Deri tani qeveria e Kosovës ka dhënë një shumë rreth 50 milionë euro për rikuperimin e minierës së Trepçës dhe të Artanës që nga viti 1999”, tha Dida.

Anëtari i Bordit të AKM dhe kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Punëtorëve(BSPK), Bahri Shabani, është kategorikisht kundër zyrtarëve të AKM që Trepça të futet në privatizim.

“Unë nuk e përkrah mënyrën si parashohin zyrtarët e AKM për privatizimin e Trepçës dhe unë do të votoj kundër privatizimit të saj”, tha shkurt Shabani i nervozuar.

Ai nuk tregoi se cilat janë mënyrat që parasheh AKM për të privatizuar Trepçën. Për të njëjtën çështje nuk kanë dashur që të përgjigjen as zyrtarët nga shtylla IV.

“Ne nuk dëshirojmë të japim asnjë koment rreth kësaj teme, ngase dëshirojmë t’i japim administratorit pavarësinë më të madhe me qëllim që të japë rekomandime dhe gjykime të pavarura. Presim që ky administrator të punojë në koordinim me të gjitha institucionet relevante, përfshirë edhe AKM”, tha Griep.

Ndërkohë Trepça veçse e ka përfunduar periudhën testuese 3 muajsh, e cila është vënë si provë për minatorët e këtij gjiganti, nëse ata do të jenë në gjendje që ta rinisin punën për nxjerrjen e mineraleve nga thellësia e nëntokës.

“Unë shpresoj se gjatë tre muajve të ardhshëm të kemi një zhvillim të mirë, mirëpo në qoftë se nuk na shkon kjo formë e zhvillimin, atëherë do të ulemi dhe nëse së bashku me menaxhmentin dhe drejtuesit tjerë nuk arrijmë të gjejmë një zgjidhje, atëherë duhet të mendojmë që të hymë në privatizim”, ka thënë para minatorëve ministri i Energjisë dhe Minierave, Et’hem Çeku.

Rreth kësaj çështjeje, Express është përpjekur që të bisedojë edhe me drejtorin e Trepçës, Nazmi Mikullovci, mirëpo ky i fundit nuk ka pranuar të përgjigjet rreth privatizimit të Trepçës.

“Kjo është një çështje shumë specifike. Nuk mund të flas më shumë”, tha Mikullovci.

Agron Dida tha se në këtë ministri nuk ka ardhur ndonjë kompani për të shprehur interesim për privatizimin e minierave.

Ndërkaq Angela Griep tha se në konferencën e mbajtur në Londër, ku ka marrë pjesë edhe Kosova që është përfaqësuar nga shtylla IV dhe nga MEM, ka pas kompani që kanë shpreh interesimin për minierat në Kosovë.

“Gjatë konferencës mbi minierat dhe paratë të mbajtur në Londër në nëntor të vitit 2005, mbi dhjetë kompani shprehën interesimin, madje tri nga to veç i kanë bërë vizitë minierave të Kosovës, ndërsa së shpejti pritet që të vijë edhe një tjetër”, tha Griep.

Ligjëruesi i komunikimit optik dhe atij të kontrollit të inxhinierive në Universitetin Kent në Britani të Madhe, Shyqyri Hoxha, është i bindur se gjiganti kosovar mund të mbijetojë.

“Trepça nuk duhet të futet në privatizim si e tërë. Ajo mund të privatizohet vetëm disa sektorë të saj, sepse ai është një gjigant i madh dhe shumë i rëndësishëm për Kosovën në përgjithësi.

Ndonëse në këtë ndërmarrje kanë filluar punë, ato nuk po qesin asgjë në dritë dhe kjo është për shkak të mos funksionimit të shkritores që gjendet në Leposaviq e që është nën kontroll të serbëve”, tha Hoxha, duke shtuar se me një angazhim më të madh të qeverisë së Kosovës duke investuar në të, ky gjigant mund të mbijetojë.

Marrë nga Gazeta Express, autor: Kushtrim Ahmeti