Herën e parë më 17 janar “Alferon” pat dështuar ta kryejë pagesën në afatin prej 60 ditës për shkak të negociatave me KEK-un. Mirëpo, shtylla IV e UNMIK-ut pat vendosur që këtë afat ta shtyjë për 27 janar, tash sërish ky afat shtyhet për disa ditë
Prishtinë, 28 janar 2006 – Fituesi i tenderit të “Ferronikel”-it, kompania “Alferon”, ka dështuar ta kryejë pagesën prej 33 milionë eurove edhe në afatin e dytë, të premten më 27 janar. Mosmarrvëshjet me KEK-un rreth çmimit të rrymës kanë bërë që të zvarritet finalizimi i kontratës, kanë bërë të ditur burime të “Kohës Ditore”, brenda Ministrisë së Minierave dhe Energjisë.
“Ka kohë që përfaqësuesit e ‘Alferon’-it po negociojnë me zyrtarët e KEK-ut për çmimin e rrymës, por nuk po mund të arrijnë pajtueshmëri mes vete”, ka thënë burimi i KD-së.
Kurse, përfaqësuesi i “Alferon”-it, nuk pranoi të japë detaje rreth negociatave.
“Në këtë kohë nuk mund të komentoj rreth negociatave tona me KEK”-un, ka thënë për “Kohën Ditore”, drejtori i “Alferonit”, Johannes Sittard.
Nga ana tjetër, zyrtarët e KEK-ut shtojnë se AKM-ja duhet t’ia shtyjë afatin e pagesës “Alferon”-it, sepse këto ditë pritet që të merret një vendim.
Zyrtarët e Shtyllës IV thonë se ngjarjet e fundit në Kosovë kanë bërë që të mos zhvillohen negociatat mes “Alferon”-it dhe KEK-ut sipas planit.
“Për shkak të ngjarjeve të kësaj jave, negociatat në mes të “Alferon”-it dhe KEK-ut nuk janë zhvilluar sipas planit. Të dyja palët reciprokisht kërkuan zgjatje të negociatave, gjë që do të zgjasë periudhën e negociatave deri më 10 shkurt”, ka thënë të premten zëdhënësja e Shtyllës IV të UNMIK-ut, Mechthild Henneke. Sipas saj, Shtylla IV e UNMIK-ut pajtohet me këtë dhe shefi i saj, Joachim Ruecker, ka nënshkruar të premten kontratën për zgjatje të afatit për kryerjen e pagesës nga ana e “Alferon”-it.
“Ai është konfident se ‘Alferon’-i dhe KEK-u do te gjejnë zgjidhjen për furnizim të ‘Ferronikel’-it me energji elektrike,”, ka thënë Henneke.
Edhe me Memorandumin e Athinës, ështe e rregulluar mundësia e furnzimit me rrymë nga ndonje furnziues tjetër jashtë Kosovës, megjithëse zyrtarë të KEK-ut kanë thënë se kushtet për një gjë të tillë nuk do të mund të krijoheshin para vitit 2007.
Herën e parë më 17 janar “Alferon” pat dështuar ta kryejë pagesën në afatin prej 60 ditësh, për shkak të negociatave me KEK-un. Mirëpo, Shtylla IV e UNMIK-ut pat vendosur që këtë afat ta shtyjë edhe për dhjetë ditë. “Pagesa duhet të bëhet pas kompletimit të periudhës gjatë së cilës do të sigurohen një numër kontratash shtesë nga ana e blerësit. Fillimisht kjo periudhë ishte paraparë të përfudonte më 17 janar, por është shtyrë për disa ditë – deri në fund të javës së ardhshme (27 janar) – në mënyrë që t’i jepet mundësi blerësit të kompletojë negociatat rreth kontratës me KEK-un”, pat lajmëruar zëdhënësja e Shtyllës IV, Methchild Henneke, përmes një komunikate të lëshuar për shtyp. Por edhe ky afat nuk u respektua nga fituesi i tenderit.
Por, mësohet se zyrtarët e “Alferon”-it janë të interesuar që të bëjnë zgjidhje që të furnizohen me energji nga KEK-u e jo të importojnë.
Bordi i AKM-së para katër muajve ka shpallur fitues të përkohshëm të “Ferronikel”-it në Drenas ndërmarrjen angleze “Alferon”. Ky ofertues ka pasur ofertë 33 milionë euro, 16 milionë euro më të vogël sesa ofertuesi i cili u pat eliminuar nga gara “Adi Nikel”.
Kompania “Alferon” është e obliguar me kontratë që të investojë 20 milionë euro dhe të punësojë së paku 1.000 punëtorë.
(Marrë nga Koha Ditore, autor Arbana Xharra)