Prishtinë, 18 nëntor 2004 – Kryeministri i Kosovës, Dr. Bajram Rexhepi, ka pritur në një takim të veçantë përfaqësuesit e Agjencionit Evropian për Rindërtim (AER), z. Thierry Bernard Guele dhe z. Michael Burne, thuhet në një njoftim të zyrës për informim të kryeministrit.
Në këtë takim z.Thierry Bernard Guele e ka njohur kryeministrin Rexhepi për “draftin punues” ku është bërë një përmbledhje e propozimeve të projekteve për përfshirjen në Programin vjetor 2005 për Kosovën i hartuar nga AER-i. Ky program është i bazuar në konsultimet me Institucionet e Përkohshme Vetëqeverisëse të Kosovës dhe UNMIK-un brenda kornizës së Partneritetit Evropian për Kosovën, programit indikativ shumëvjeçar 2005-2006 të Komisionit Evropian dhe Standardeve për Kosovën në shumë totale prej 52 milion euro.
Kryeministri Rexhepi me këtë rast falenderoi përfaqësuesit e AER-it për ndihmën e dhënë Kosovës në ngritjen e kapaciteteve në fusha të ndryshme, të cilat kanë dhënë rezultate pozitive në përmirësimin e kualitetit të jetës së qytetarëve, konsolidimin e institucioneve demokratike të Kosovës dhe realizimin e standardeve si një hap drejt integrimeve në strukturat dhe në institucionet e Bashkimit Evropian.
ECIKS