Kriminaliteti: dëme të rënda ekonomike për Gjermaninë

Qoftë në formën e piraterisë së prodhimeve, spiunazhit ekonomik apo edhe të grabitjes së një banke, kriminaliteti i dëmton firmat dhe ndërmarrjet në forma nga më të ndryshmet. Për këtë nuk të habit fakti që shumë përfaqësues të degëve të ndryshme të industrisë kanë krijuar një shoqatë për siguri në fushën e ekonomisë. Kjo kërkon prej politikës dhe administratës më tepër anagazhim kundër kriminalitetit.

Dëmet e shkaktuara prej kriminalitetit i kushtojnë ekonomisë disa miliarda. Për këtë problemi i sigurisë në fushën ekonomike vazhdon të jetë tepër i rëndësishëm, theksoi Bertold Schweigler, kryetar i Shoqatës për siguri në fushën e ekonomisë. Ndër problemet ai veçoi grabitjet, vjedhjet, spiunazhin në fushën e industrisë, falsifikimet e parave, mashtrimin, prodhimet plagjiate, korrupsionin, kriminalitetin në sektorin e komunikimit elektronik si dhe kriminalitetin e organizuar.

Zëvendëskryetari i Shoqatës për siguri në fushën e ekonomisë, Michael Sorge, tërhoqi vëmendjen se pas një rënieje në vitet 1993 deri 2000 kriminaliteti në Gjermani po shënon sërish rritje. Në mënyrë të veçantë janë shtuar vjedhjet dhe kriminaliteti ekonomik, e sidomos në radhët e të rinjve.

“Kjo do të thotë se mbikqyrja e zonave publike në disa zona të caktuara të qyteteve duhet të shtohet. Të tilla janë rrugët tregëtare, qendrat tregëtare, sheshet publike, mjetet e transportit publik, të cilat ndikojnë edhe në ndjenjën personale të sigurisë apo pasigurisë të gjithkujt,” – tha Sorge.

Sorge theksoi se gjendja e sigurisë është me rëndësi edhe për çështjen nëse firmat vendosin që t’i ndërtojnë filialet e tyre në këtë apo atë zonë. Kjo sidomos sa u përket ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Një aspekt tjetër është fakti se koncernet gjermane vazhdojnë të jenë në qendër të vëmendjes së shërbimeve sekrete të vendeve të ndryshme si dhe të konkurrencës. Dëmi ekonomik i veprimtarisë së spiunazhit në sektorin e teknologjisë nuk mund të përllogaritet me saktësi, por mendohet se shkon në miliarda. Prej veprimtarive të tilla nuk janë të prekura vetëm ndërmarrjet e mëdha, por edhe ato të mesme apo të vogla që prodhojnë artikuj specialë.

Pozitivisht në raportin vjetor të Shoqatës për siguri në fushën e ekonomisë vlerësohet fakti që si rrjedhojë e masave më të mira të sigurisë, numri i grabitjeve të bankave ka rënë. Po ashtu rënie ka shënuar edhe numri i grabitjeve të automjeteve që transportojnë para, por rastet e këtyre grabitjeve janë bërë edhe më brutale. Një problem të madh përbëjnë vjedhjet e paketave postare, të cilat kapin në Evropë shifrën e rreth 30 miliardë eurove.

Sa u përket rasteve të korrupsionit, mashtrimit dhe shpërdorimit të postit në sektorin ekonomik hetuesia zbuloi në Gjermani vitin e kaluar 90.000 raste. Prej tyre është shkaktuar një dëm prej 4,5 miliardë eurosh. Sipas një studimi një ndër 20 personat e akuzuar për delikte të tilla ka qenë pjesëtar i stafit drejtues të koncerneve apo ndërmarrjeve.

ECIKS / DWelle