Kosovës i premtohen 1.2 miliardë euro

Donatorët kryesorë janë Komisioni Evropian me 500 milionë euro, SHBA-ja me 400 milionë dollarë, Gjermania me 100 milionë, Norvegjia me 48 milionë, Zvicra me 47 milionë, Suedia 41 milionë, Britania e Madhe, Luksemburgu dhe Turqia me nga rreth 30 milionë euro dhe donatorë të tjerë. Donatorët kanë porositur se do të kujdesen për mënyrën se si do të shpenzohen paratë e tyre

Augustin Palokaj

Bruksel, 11 Korrik 2008 – Shuma e premtuar e ndihmës financiare për Kosovën, të premten, në Bruksel, në Konferencën e donatorëve, e ka kaluar shifrën prej një miliardë eurosh, duke mbërritur në zotime prej 1.2 miliardë eurosh. Konferencën e ka organizuar Komisioni Evropian dhe në të si donatorë paraqiten organizatat ndërkombëtare dhe shtetet anëtare të BE-së, si dhe vendet të tjera.

Komisioni Evropian është donatori më i madh dhe ka premtuar 500 milionë euro ndihmë financiare për Kosovën. Nëse kësaj shume i shtohen paratë e premtuara edhe nga vendet anëtare të BE-së në mënyrë individuale, ndihma komplete e premtuar nga Bashkimi Evropian kap shifrën prej 800 milionë eurosh apo 2/3 të ndihmës së përgjithshme të zotuar në këtë Konferencë donatorësh.

Duke e komentuar kontributin që në emër të BE-së si bllok e ka bërë Komisioni Evropian, komisioneri i Zgjerimit, Olli Rehn, tha: “Jam krenar se duke premtuar 500 milionë euro, që në fakt është gjysmë miliardi, Bashkimi Evropian demonstron qëndrimin se ‘Kosova është çështje evropiane, thellësisht evropiane’. Ky qëndrim nuk është një formulë diplomatike por provë reale e angazhimit tonë në Kosovë”.

Rehn tha se me paratë që do të premtohen mund të zvogëlohet hendeku i nevojave buxhetore në Kosovë.

“Duke iu falënderuar kësaj përpjekjeje shpresoj që premtimet në këtë konferencë të arrijnë një miliard euro. Ky do jetë një kontribut i madh për zhvillimin e Kosovës dhe adresimin e nevojave reale të njerëzve që jetojnë atje, këtu hyjnë çështje si energjia, transporti, ndërtimi i institucioneve apo i kapaciteteve administrative”.

Rehn po ashtu tërhoqi vërejtjen se paratë e donatorëve duhet të shpenzohen duke respektuar rregullat strikte të Bashkimit Evropian.

“Pa dyshim është e rëndësishme që Qeveria e Kosovës dhe administrata të sigurojnë se çdo euro do të shpenzohet me efikasitet në fushat e energjisë, arsimit dhe zhvillimit social. Këto premtime për buxhetin e Kosovës dhe në përgjithësi ndihmën financiare nga bashkësia ndërkombëtare duhet të përdoret për të mirën e të gjithë popullit të Kosovës, për të gjitha komunitetet, përfshirë bashkësinë serbe në Kosovë”, ka thënë ai.

Lidhur me këtë edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se Qeveria e Kosovës do të ndjekë politikën e zero tolerancës ndaj dukurive si korrupsioni dhe keqpërdorimi i këtyre mjeteve.

Thaçi foli edhe për perspektivën e integrimeve euroatlantike të Kosovës dhe për pritjet e tij që së shpejti të merret edhe përgjigje pozitive për anëtarësimin e Kosovës në Bankën Botërore dhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar. Donacione të mëdha për Kosovën janë paraqitur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 400 milionë dollarë, Gjermania me 100 milionë euro, Norvegjia dhe Britania e Madhe me nga rreth 30 milionë euro, Luksemburgu me 15 milionë dhe disa vende të tjera.

Bashkimi Evropian në kuadër të Fondeve të paraaksesionit, që janë të dedikuara për vendet kandidate dhe kandidatët potencialë që përfshinë edhe Kosovën si pjesë të rajonit të Ballkanit me perspektivë evropiane, kishte caktuar që më parë shumën prej më tepër se 300 milionë euro nga fondet IPA për Kosovën. Kështu që në zotimin e Komisionit Evropian në Konferencën e Donatorëve risi ka qenë premtimi edhe i 200 milionëve shtesë që duhet të konfirmohen më vonë edhe në strukturat buxhetore të Bashkimit Evropian që përfshin edhe Parlamentin dhe Këshillin e BEsë.

Por BE-ja pa dyshim është donatori më i madh në Kosovë. Në shumën e premtuar për ndihmë socio-ekonomike Kosovës nuk përfshihen edhe paratë që BE-ja do t’i shpenzojë për financimin e Misionit të EULEX-it në Kosovë. Shumica e parave të zotuara në Konferencën e Donatorëve do të jepen për vitin 2008 dhe 2009 që është një lajm i mirë për Kosovën e cila ka nevoja urgjente. Një pjesë do të shfrytëzohet më vonë, ndërsa një pjesë e vogël është dedikuar edhe për pagesën e borxheve që ka Kosova. Nga donatorët krijohet edhe një fond multidonator i mirëbesimit, ndërsa disa shtete kanë paralajmëruar se mund të bëjnë premtime të mëvonshme. Në të gjitha rastet është thënë se duhet një kujdes i veçantë në menaxhimin e këtyre fondeve.

Marrë nga Koha Ditore