Prishtinë, 13 korrik 2008 – Projektet individuale që Qeveria ka paraparë të financohen me paratë e fituara në Konferencën e Donatorëve, do të shqyrtohen sërish pas një muaji, kur ato do t’u prezantohen në hollësi donatorëve. Kështu ka bërë të ditur ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, i cili shpreson që atëherë të prezantojë edhe projektin e partisë së tij liberal-demokratike “Graçanica e Re”, për të cilin kishin kërkuar 600 milionë euro nga donacionet. Ai vetëm pasi kishte shkuar në Bruksel kishte kuptuar se asnjë projekt individual nuk do të prezantohej nga Qeveria e Kosovës në këtë konferencë.
Nga 3.883 projekte të propozuara nga ministritë dhe komunat, që kapin shuma miliarda eurosh, përpos projekteve të Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve, për të cilat edhe janë zotuar 1.2 miliardë euro, asnjë projekt tjetër nuk u është paraqitur donatorëve. Megjithatë, Rashiq shpreson se projekti i partisë që përfaqëson, parti liberale, do të fitojë përkrahje nga donatorët pas një muaji.
“Nuk ka qenë momenti ta prezantojmë projektin tonë në Bruksel, sepse atje është prezantuar vetëm Korniza Afatmesme e Shpenzimeve, muajin e ardhshëm do të kemi prezantim të projekteve para donatorëve”, ka pohuar Rashiq.
Sipas tij, KASH-i ka qenë dokumenti që shtetet donatore e kanë përkrahur në mënyrë të përgjithshme pa hyrë në detaje të projekteve të tjera. Ai nuk ndihet i zhgënjyer nga kjo konferencë, pasi që edhe projektet e të gjitha komunave janë trajtuar njëjtë dhe shpreson në shansin e dytë që do t’u jepet në muajt e ardhshëm për t’i prezantuar projektet e tyre.
Ndryshe nga Rashiqi, i cili personalisht ka qenë në këtë konferencë, kryetarët e komunave thonë se kanë mbetur të zhgënjyer nga kjo konferencë. Ata akoma nuk janë në dijeni nëse projektet që ua ka kërkuar Qeveria kanë shkuar në adresë të duhur dhe se çfarë kanë përfituar nga paratë e donatorëve.
Të painformuar
Krerët e komunave të Kosovës, të cilët deri para 11 korrikut kanë qenë në garë se cila komunë të dorëzojë më shumë projekte nuk kanë shumë shpresa se do të përfitojnë nga këto mjete.
Kryetari i Komunës së Pejës, Ali Berisha, është skeptik se mundi do t’u shpërblehet pasi që akoma nuk është njoftuar për procedurat e ndarjes së mjeteve.
“Duke u bazuar në atë se vetëm KASH-i është prezantuar dhe në bazë të të dhënave të pakta që kemi se ku do të shpërndahen këto mjete, dyshojmë se do të mund të fitojmë ndonjë para nga kjo konferencë”, ka pohuar Berisha.
Ai thotë se nga kjo komunë i janë dorëzuar nivelit qendror projekte në vlerë prej 108 milionë euro. Edhe kreu i Komunës së Vitisë, Nexhmedin Arifi, nuk ka asnjë informatë nëse komuna që ai udhëheq do të ketë mundësi të financojë ndonjërin nga projektet që kishin dorëzuar – për të cilat kjo komunë kishte kërkuar gjithsej 60 milionë euro.
“Nuk e di a do të na ndajnë para neve si komunë pasi nuk na kanë njoftuar asgjë. Di se konferenca ka kaluar mirë dhe se donatorët kanë dhënë 1.2 miliardë euro”, ka pohuar Arifi.
Ndërkaq, numri një i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, shpreson se nga paratë e zotuara prej donatorëve, komuna e tij të arrijë të financojë 10 për qind të projekteve të propozuara.
“Shpresojmë të realizojmë 10 për qind të projekteve prej vlerës totale 147 milionë euro sa kemi kërkuar”, është shprehur Rexhepi.
Për 1.2 miliardë eurot e zotuara të donatorëve akoma nuk e dinë se në çfarë forme do të jepen as zyrtarët e Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, sipas të cilëve në ditëve në vazhdim do të definohen të gjitha.
KASH-i parasheh që pjesa më e madhe e parave të derdhen në buxhet
Zëvendësministri i MEF-it, Bedri Hamza, ka thënë se këto janë para të zotuara që pritet të investohen brenda dy tri viteve të ardhshme. “Na mbetet që në mënyrë të përgjegjshme ta bëjmë menaxhimin e këtyre fondeve”, ka thënë Hamza. Se si do të ndahen këto mjete, Hamza nuk jep hollësi, pavarësisht se sipas KASH-it parashihet që pjesa më e madhe të derdhen drejtpërsëdrejti në buxhet.
Ndërkaq, sa i përket projekteve të tjera ai pohon se ka qenë e ditur se nuk do të shkohet në Konferencën e Donatorëve me projekte individuale, por ato do të prezantohen në forma të partneriteteve publiko-private pas konferencës. Megjithatë, mbetet shumë pak shpresë se nga paratë e zotuara të financohen këto projekte, pasi që përafërsisht donatorët kanë caktuar fushat se ku do t’i investojnë paratë e tyre.
Shuma prej 500 milionë euro që ka ndarë Bashkimi Evropian do të jepet në dy pjesë, njëra në vlerë prej 350 milionë para-anëtarësim në BE dhe 150 milionë euro për asistencë makroekonomike. Nga 1.2 miliardët e premtuar, rreth 200 milionë do të shkojnë për t’u paguar borxhet që Kosova ia ka pasur Bankës Botërore dhe Klubit të Parisit prej kohës së ish-Jugosllavisë, ndërsa akoma nuk është dhënë një shifër e saktë se sa për qind e mjeteve do të investohen direkt në buxhet dhe sa do të jenë drejtpërsëdrejti investime të donatorëve.
Marrë nga Koha Ditore / Zekirja Shabani