Prishtinë, 07 prill 2004 -Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit, njoftoi sot se që nga data 6 deri 9 të këtij muaji, 10 kompanitë konkuruese për operatorin e dytë mobil në Kosovë mund të marrin pakon tenderuese.
Që në ditën e parë, pesë prej këtyre kompanive e kanë bërë këtë. Pas marrjes së pakos tenderuese, kompanitë kanë afat që deri në ora 16.30 minuta të datës 26 maj të këtij viti, materialin e përgatitur t’ia dorëzojnë Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit (ART).
Mëpastaj, një komision që caktohet nga bordi i ART-së e që do t’a përbëjnë ekspertë të teknikës, ekonomisë dhe legjislacionit, do të bëjë vlerësimin përfundimtar në afat prej 30 ditësh, theksoi drejtori i ART-së, Anton Berisha.
“Së pari në këtë periudhë 45 ditëshe ne e krijojmë komisionin dhe pas këtij afati komisioni i merr materialet dhe rezultatet e tyre ia dorëzon ART-së, ndërsa bordi i ART-së merr vendim përfundimtar.”
Me vendimin përfundimtar liçencohet operatori i ri i telefonisë mobile, që do të krijoj konkurrencë në treg, pas monopolit 4 vjeçar të PTK-së, gjegjësisht “Valës 900”.
Fituesi i tenderit për telefoninë mobile në Kosovë njëherit do të paguajë në arkën e Kosovës 6,5 milionë euro.
ECIKS / Balkanweb