Kosovë, bizneset e reja kërkojnë lehtësira fiskale

Prishtinë, 31 mars 2004 -Mustafë Ibrahimi konsideron se Këshilli Ekonomik Fiskal duhet të rishqyrtojë politikën ekonomike fiskale dhe të ndërmarrë masa konkrete në ndërrimin e sistemit të tatimit dhe doganave në favor të stimulimit dhe nxitjes së prodhimit të brendshëm dhe eksportit. Në Kosovë nuk ekzistojnë masa stimuluese për bizneset fillestare, siç aplikojnë vendet në tranzicion. Mallrat, veçanërisht inputet për sektorin e prodhimit janë tepër të ngarkuara me taksa dhe nuk janë konkurruese me mallrat e vendeve të rajonit. Kështu thotë Mustafë Ibrahimi, nënkryetar i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK). Ibrahimi konsideron se Këshilli Ekonomik Fiskal (që ka në kompetencë politikën fiskale) duhet të rishqyrtojë politikën ekonomike fiskale dhe të ndërmarrë masa konkrete në ndërrimin e sistemit të tatimit dhe doganave në favor të stimulimit dhe nxitjes së prodhimit të brendshëm dhe eksportit. Ai shprehet se prodhuesit e vegjël dhe eksportuesit e mundshëm kanë vështirësi në fillimin e prodhimit, pasi që janë të detyruar që me para në dorë të paguajnë 26.5 për qind të çmimit të importit të imputeve. Aktualisht në Kosovë aplikohen këto ngarkesa fiskale: taksa doganore e cila është 10 për qind, TVSH 15 për qind, dhe tatimi i paragjykuar për bizneset e vogla 3 për qind. Përveç këtyre në vendin tonë aplikohet edhe ngarkesa e mallrave me akcizë për të ashtuquajturat mallra të forta, siç janë: nafta dhe derivatet e saj, duhani pijet alkoolike dhe joalkoolike etj. Biznesi po ashtu ngarkohet edhe 20 për qind me tatimin në fitim dhe 5 për qind kontribute për punëdhënësin. Kryetari i OEK-ut tha se biznesin kosovar e ngarkojnë edhe taksat komunale, të cilat për çdo ditë janë më të larta dhe më të shumta. Ndërkohë që vendet e tjera të rajonit, si Serbia dhe Mali i Zi, zbatojnë dogana për stimulimin e prodhuesve vendorë dhe mbrojtjen e produkteve bujqësore deri në 58 për qind. Sipas OEK-së, është e domosdoshme sistemi i uljes së tatimit për të gjitha mallrat kapitale dhe produktet gjysmëfinale, po ashtu duhet të zvogëlohet ose të eliminohet taksa doganore për investimet kapitale dhe lëndë të parë, ashtu sikurse duhet t’i kushtohet rëndësi stimulimit të sektorit të bujqësisë. Sistemin tatimor dhe doganor të Kosovës e shoqërojnë shumë mangësi. Aftësia paguese e tatimit nuk merret parasysh sepse të gjitha aktivitetet biznesore e avancojnë buxhetin e konsoliduar të Kosovës.

ECIKS/Biznesi