Kosovarët sërish më optimistët në botë

Kosova i prin listës së dhjetë vendeve më optimiste të botës. 60 për qind të të anketuarve në Kosovë kanë thënë se viti 2009 do të jetë më i mirë se viti 2008. Rezultat befasues për Gallupin ka shënuar lista e pesimistëve, sepse tani ajo kryesohet nga vendi më optimist i vitit të kaluar – Hong-Kongu

Prishtinë, 18 dhjetor 2008 – Kosova sërish i prin listës së vendeve më optimiste në botë. Hulumtimi i fundvitit “Zëri i popujve” i Gallup International ka nxjerrë listën e dhjetë vendeve më optimiste dhe dhjetë vendeve më pesimiste në botë.

Lista e dhjetë vendeve më optimiste ka vende nga regjione të ndryshme të botës. Kosova është në vendin e parë, ku 60% të njerëzve kanë thënë se viti 2009 do të jetë më i mirë se viti 2008. Kosovarët kanë qenë ndër qytetarët më optimistë që nga fillimi i këtij shekulli. Në vendin e dytë janë qytetet kryesore të Kinës (53%). Më tutje rangimi sjell vende si Australia (49%) dhe fqinjën e saj Zelandën e Re (44%), Libanin (48%) dhe Kolumbinë (48%), të pasuar nga Rusia dhe India (të dyjat nga 42%). Bahrejni (41%) dhe Maqedonia (40%) janë gjithashtu në mesin e dhjetë vendeve të para. SHBAja është në vendin e 11-të në listën e optimistëve (38%). Gallup International ka theksuar se hulumtimin e ka kryer vetëm disa ditë para zgjedhjeve kur, edhe pse kriza financiare në vend po keqësohej, qytetarët e SHBA-së i gëzoheshin presidencës së re dhe shpresës dhe pritjeve të rikthyera. Gjithashtu, Gallup thekson se vitin e kaluar, vendet më optimiste kanë pasur përqindje më të larta të optimizmit ku së paku gjysma e popullsisë së të gjitha vendeve në listë pritnin që ky vit të jetë më i mirë.

Kosova nuk është përjashtim – vitin e kaluar 68% e kosovarëve kanë pritur që ky vit të jetë më i mirë, kurse sivjet numri i optimistëve në Kosovë ka rënë në 60%. Në Kosovë hulumtimi është kryer nga “Index Kosova” në nëntor 2008 dhe ka përfshirë 1,012 respondentë shqiptarë dhe minoritete (pa serbë).

Ndërsa, dhjetë vendet më pesimiste janë të gjitha vendet ku më shumë se gjysma e të intervistuarve presin që viti 2009 të jetë më i keq sesa viti 2008. Gallup thotë se vitin e kaluar pesimizmi nuk ka qenë aq i lartë dhe në vetëm një vend (Senegal) pesimistët ishin mbi 50%. Një rezultat tjetër befasues i kësaj tabele të vendeve më pesimiste është se kryesohet nga vendi më optimist i vitit të kaluar – Hong-Kongu (67%). Gjithashtu, fqinji aziatik Singapori (63%), tregon rezultate të ngjashme. Kriza financiare e Islandës (67%) e ka vendosur këtë shtet në vendin e dytë më pesimist në botë sa iu përket pritjeve për vitin 2009. Greqia (60%) përsëri është një ndër vendet më pesimiste në botë, edhe pse hulumtimi është kryer para krizës aktuale në këtë vend. Këtë vit vendet më pesimiste gjithashtu përfshijnë Irlandën (61%), Britaninë e Madhe (52%), Holandën (52%), Kroacinë (56%), Serbinë (53%) dhe Ukrainën (52%).

Hulumtimi “Zëri i popujve” i Gallup International në të cilin janë përfshirë 45.700 respondentë ka konkluduar se viti i ardhshëm pritet më shumë me pesimizëm (35%) sesa me optimizëm (27%). Hulumtimi është zhvilluar në mes të tetorit dhe dhjetorit të vitit 2008 – në kohën kur kishte eksploduar kriza globale financiare – dhe i ka pyetur njerëzit në 46 vende në kontinente të ndryshme “Sa u përket juve, a mendoni se viti 2009 do të jetë më i mirë apo më i keq se viti 2008?”. Hulumtimi gjithashtu ka zbuluar se shumica e qytetarëve globalë e përshkruajnë vitin 2009 si vit me vështirësi ekonomike (52%), të dominuar me papunësi (66%) dhe me më shumë (36%) ose shkallë të njëjtë të konflikteve ndërkombëtare (45%) në krahasim me vitin 2008.

Kriza financiare në tregjet botërore pa dyshim ka ndikuar në këto përgjigje, duke rezultuar në rënien e optimizmit për vitin që po vjen në 27%, nga 38% për vitin 2008, theksohet në raportin e Gallupit. Duke shikuar në mënyrë të veçantë aspektin ekonomik, shumica e të intervistuarve parashikojnë vështirësi ekonomike (52%) dhe më shumë prej tyre parashikojnë rritje të papunësisë (66%). Këto pritje negative janë më pesimiste sesa ato të vitit të kaluar kur 31% pritnin vështirësi ekonomike dhe 43% pritnin rritje të papunësisë.

Koha Ditore