Bosnja e Serbia refuzojnë eksportin kosovar

Prodhuesit e lëngjeve “Laberion” dhe “RC Cola” janë detyruar t’i kthejnë mbrapa mallrat në vlerë prej afro 150 mijë eurosh, pasi që nuk ishin lejuar të hynin në tregun e Bosnjës. Mallrat “made in Kosovo” nuk po i lejon as Serbia që të futen apo të kalojnë transit

Prishtinë, 18 dhjetor 2008 – Eksportuesit kosovarë janë duke e ndier në kurrizin e tyre antipatinë që kanë disa shtete për simbolet e Republikës së Kosovës. Vula e Doganave të Kosovës po u pamundëson tregtarëve të Kosovës të eksportojnë mallrat e tyre jashtë Kosovës, pasi që nga 3 dhjetori Serbia dhe Bosnja kanë bllokuar hyrjen e produkteve të Kosovës, për shkak të ndërrimit të vulës së doganave, nga Doganat e UNMIK-ut në Doganat e Kosovës. Mallrat që kanë këtë vulë nuk lejohen të kalojnë as transit nëpër këto shtete, gjë që ka bllokuar prodhuesit kosovarë të eksportojnë mallrat e tyre në prag të festave të fundvitit, kur edhe konsumi rritet shumëfish më shumë.

Viktimë të kësaj vule kanë qenë edhe prodhuesit e lëngjeve “Laberion” dhe “RC Cola”, të cilët janë detyruar t’i kthejnë mbrapa mallrat në vlerë prej afro 150 mijë eurosh, pasi që nuk ishin lejuar të hynin në tregun e Bosnjës. Në këtë rast as marrëveshja e CEFTA-s, nënshkruese e së cilës janë edhe Kosova, edhe Bosnja, dhe Serbia, nuk po u kryen atyre punë, ndaj tregtarët kosovarë kërkojnë reagimin e menjëhershëm të Qeverisë për të mos e humbur tregun evropian dhe ballkanik, si pasojë e kësaj bllokade.

Pronari i kompanisë “Laberion”, Bashkim Osmani, pohon se nëse edhe një javë nuk do të zgjidhet kjo çështje, ai do të humbë partnerin e tij në Bosnjë dhe do të ndërpresë eksportin vjetor prej 2 milionë eurove në këtë vend. Sipas tij, eksportuesit kosovarë me këtë rast po rrezikohen të humbin edhe atë pak treg që kanë në rajon dhe Evropë.

“Qeveria e Kosovës duhet të reagojë menjëherë. Nëse produktet tona vonohen më shumë se një javë, atëherë partnerët tanë në këto vende vështirë se do të bashkëpunojnë me ne. Nëse njëherë e humbim një treg, nuk mund ta kthejmë fare”, tha Berat Mustafa, pronar i kompanisë “RC Cola” i cili frikësohet se mund të humbë 25 për qind të prodhimit që i eksporton në vendet e rajonit, për shkak të pengesave që po i bëhen në eksport. Sipas tij, eksporti është rritur për 10 për qind vetëm vitin e fundit. “Nëse nuk reagon Qeveria, do të detyrohemi të zvogëlojmë prodhimin, e bashkë më të të reduktojmë edhe numrin e punëtorëve. 25 punëtorë rrezikohen të largohen nga puna”, theksoi ai.

Raportet eksport-import me këto dy vende konsiderohet se kanë një dallim shumë të madh, ndaj kreu i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, mendon se Qeveria e Kosovës duhet të përdorë masa reciproke, ashtu sikur parashihet me rregullore ndërkombëtare të tregtisë. Në Kosovë, sipas tij, importohet një sasi e madhe e produkteve nga këto dy vende.

Shahini ka pohuar se që nga shpallja e pavarësisë janë shënuar rastet e 6 prodhuesve kosovarë që kanë pasur probleme serioze me eksport. “Pavarësisht se nganjëherë masat institucionale janë në kundërshtim me rregullat e ekonomisë së tregut, shteti duhet të veprojë për t’u ndihmuar prodhuesve të vet. Produktet që importohen nga këto vende janë lehtë të zëvendësueshme me import nga vendet e tjera dhe nuk shkaktojnë humbje për tregtarët, ashtu sikur edhe nuk ndikojnë në ngritjen e çmimeve. Kurse në ato vende që janë duke i bllokuar produktet kosovare e që në Kosovë importojnë mbi 300 milionë euro në vit mallra, do të kenë ndikim të madh”, ka thënë Shahini (Lulzim Demolli, Koha Ditore).

This website uses cookies to improve its performance and the relations with its audience. For more information on data protection see our Privacy Policy.