Kosova, shembull në rajon me lehtësirat për biznese

Prishtinë, 9 korrik 2007 – Komisioni Evropian (KE) në raportin e tij rreth zbatimit të Kartës Evropiane për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme nga vendet e Ballkanit Perëndimor thekson se Kosova krahasuar me vendet e tjera të rajonit, disa prej të cilave janë edhe kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), ka bërë një përparim të theksuar në krijimin e lehtësirave për regjistrimin e ndërmarrjeve përkatësisht të bizneseve dhe legjislacionin që ka të bëjë më këtë lëmi.

Në raportin e quajtur “Zbatimi i Kartës Evropiane për NVM-të nga vendet e Ballkanit Perëndimor për pjesën e parë të vitit 2007”, të cilin KosovaLive ka arritur ta sigurojë, thuhet se institucionet kosovare bizneseve të ndryshme u kanë mundësuar një regjistrim më i shpejtë.

“Përveç lehtësirave të tjera, Kosova po ndihmon zhvillimin e bizneseve dhe regjistrimin e tyre edhe me një zvogëlim në numrin e hapave administrativë të përfshirë në regjistrim, dhe një zvogëlim të regjistrimit të numrave të nevojshëm për fillimin e operimit të biznesit. Këto përmirësime kanë ngritur renditjen e Kosovës mbi mesataren e vendeve të rajonit”, thuhet në raport. Kur bëhet fjalë për përmirësimin e infrastrukturës ligjore, Kosova sipas këtij raporti renditet e treta, pas Kroacisë dhe Serbisë, të cilat kanë arritur që gjatë pjesës së parë të këtij viti të përmirësojnë dukshëm infrastrukturën ligjore.

Megjithatë, Kosova pas Kroacisë renditet vendi i dytë në rajon, duke lenë kështu prapa Maqedoninë, e cila është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian sa i përket aftësive për menaxhimin e bizneseve.

Sipas këtij raporti, në Kosovë krahasuar me vendet e tjera të rajonit ka pasur një mungesë të veprimtarisë në zvogëlimin e disa detyrimeve kryesore në zhvillimin e NVM-ve, siç është ndikimi i rregullatorit, qasje online për NVM-të dhe garantim i kredive. Në disa raste thuhet në raport, në Kosovë artikujt e legjislacionit ose të rregullimit janë vendosur në vend, por pa ndonjë veprimtari përcjellëse ose me burime joadekuate që të lejojë të bëhet përparimi i duhur. Shembujt përfshinë nënshkrimin elektronik dhe furnizimin me inkubatorë për bizneset e vogla.

Ndryshe, Karta Evropiane për Ndërmarrjet e Vogla (KENV) është themeluar më 21 qershor të vitit 2003 në Samitin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Qëllimi i përfshirjes se Kosovës në KENV është që të këtë mundësi më të mira për promovimin e bizneseve të vogla dhe të mesme.

ECIKS / Kosovalive