Mos të gabojmë me Bordet e Drejtorëve

Artikull nga Dr. Etrur Rrustemaj, marrë nga Koha Ditore e datës 05 korrik 2007.

Jo të gjitha situatat para së cilave gjendet një individ apo institucion janë aq të rëndësishme sa të përshkruhen me fjalën Udhëkryq, por emërimi I Bordit të drejtorëve të PTK, është një situate e tillë ku një vendim përcakton kahen e të ardhmes së korporatës. Kahja që jepet më këso rast të posaçme shpesh here është dëshmuar si e pakthyeshme, e në mos kështu së paku vështirë e kthyeshme dhe me shumë konsekuenca.
Posta dhe Telekomunikacioni I Kosovës, si ndërmarrja më profitabile në Kosovë, tashmë ndodhet para këtij udhëkryqi, nga i cili do të varet shumë zhvillimi dhe avancimi I mëtejshëm I biznesit dhe financave të kësaj prone të qytetarëve të Kosovës.

Në një institucion që udhëhiqet me parimin e praktikave ndërkombëtarisht të zbatuara të Qeverisjes së Korporatës, është Bordi I drejtorëve që I jep kahun zhvillimit të kompanisë, ndërsa menaxhmenti me në krye CEO është ai që zbaton dhe I operacionalizon I pavarur dhe pa ndërhyrje synimet dhe parimet zhvillimore.

Pesha e Bordit të drejtorëve është aq e madhe sa që ai vendos për buxhetin e korporatës, investimet, merr vendim rreth procedurave dhe politikave të qeverisjes dhe thënë përmbledhurazi, deri në një masë të theksuar ai vendos për paratë e korporatës.

Në rastin e PTK, Bordi drejtues mund të vendos për orientimin e fitimit që vitin e fundit ishte rreth 40 milion euro, por edhe të rreth 200 milionë eurove që po flenë nëpër bankat e licencuara në Kosovë. Kjo shumë e parasë, sa për krahasim, është e barasvlershme me më shumë se 25 për qind të vlerës së buxhetit aktual të vendit. Nën mbikëqyrjen e tij, do të jetë po ashtu një korporatë, që në saje të ndryshimeve të zbatuara në vitin e fundit, vlen diku rreth 1 miliardë euro.

PTK, kësisoj ka disa veçori unike nga ndërmarrjet e tjera publike në Kosovë dhe për këtë arsye kërkohet trajtim I saj më I kujdesshëm, me profesional dhe I pavarur nga çfarëdo ndikimi.

Ka disa muaj që po vështrojë me kujdes dhe njëkohësisht me një drojë dhe skepticizëm, debatet rreth përbërjes së Bordit të ri drejtues të PTK.

Problemi numër një, është vetë lejimi I politizimit të Bordit të drejtorëve, përmes nominimit apo emërimit të anëtarëve në përbërjen e tij nga ana e institucioneve politike. Një mënyrë e tillë e ndërtimit të institucionit udhëheqës së korporatës sonë, është në kundërshtim të plotë me standardet ndërkombëtare të qeverisjes dhe kam frikë se do të jetë e dëmshme për të ardhmen e korporatës.
Interesi kryesorë i atyre që marrin vendime mbi pronën që u takon qytetarëve të Kosovës është që ta shtojnë vlerën e saj të biznesit ashtu edhe financiare dhe kësisoj emërimi në bord do duhej të ishte bazuar tërësisht në profesionalizmin, përvojën si dhe integritetin e secilit anëtarë- përfshirë këtu anëtarët kosovarë dhe atë ndërkombëtarë.

Çfarëdo ndikimi politik apo ekonomik, në propozimin dhe emërimin e anëtarëve të rinj, nuk do të “ konservonte” atë dhe anëtarët e saj nga ndikimet e jashtme. Të mos harrojmë, që pronësia mbi korporatën u takon qytetarëve të Kosovës dhe jo institucioneve politike, grupeve të interesit ekonomik apo kujtdo tjetër.
Konsideroj se anëtarët e Bordeve drejtuese, do të duhej të zgjidheshin përmes konkurrencës së hapur që do të mundësonte përzgjedhjen e kandidatëve më profesional, me më së shumti përvoje si dhe që ata të janë të pavarur nga ndikimet e jashtme në punën e tyre profesionale.
Hapat që do të duhej të ndërmerren në këtë drejtim fillojnë së pari me përcaktimin e profileve të kërkuara vazhdojnë me publikimin e posteve të lira, krijimin e listave të ngushta nga aplikuesit, intervistimi i të përzgjedhurve, zgjedhja e anëtarëve të rinj si dhe aprovimi i tyre nga organet vendimmarrëse.
Përcaktimi i profilit do të bëhej përmes caktimit të një komisioni që do të mbikëqyrë procesin dhe i cili do të siguron,që shumica e anëtarëve të bordit të janë kosovarë dhe që ata të përmbushin kërkesat minimale profesionale për aplikim.

Me qëllim që të tërhiqen për aplikim një numër i kosovarëve të shkolluar dhe me përvojë jashtë, konkursi do të duhej të publikohet në shtypin e huaj dhe atë vendor. Të gjithë hapat e tjerë janë pak a shumë të njëjtë me secilën procedurë të përzgjedhjes.

Një dallim i vogël, por shumë i domosdoshëm për të konservuar mundësin e ndikimeve të grupeve të interesit, është emërimi në komision i një organi apo individëve të pavarur, që njëkohësisht do të siguronte edhe përzgjedhje të drejtë dhe të pandikuar. Një kësi organ i pavarur mund të jetë ndonjë institucion vendor apo ndërkombëtarë, me përvojë në intervistimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve.
Përparësitë e kësaj metode të përzgjedhjes janë sa kjo do të siguronte vazhdimësinë dhe qëndrueshmërinë e bordit të drejtorëve pozicionet e së cilit nuk do të luhateshin si pasojë e ndryshimeve të pritura në pronësi- kalimi në pronësi të kosovarëve, ndryshimet eventuale në mjedisin politik dhe shpërbërjen e AKM-së.

Kjo qasje e ngritë vlerën e PTK-së, për pronarët e saj, pasi që ofron mundësinë me të mirë për ta udhëhequr PTK-në përmes një bordi profesional të drejtorëve. Ajo gjithashtu është në përputhje me qeverisjen e korporatave dhe me Ligjin e punës në Kosovë që përcakton publikimin e konkurseve për secilin post.

Përmes kësaj mënyre të përzgjedhjes, nuk mund të pretendohet se po bëhet ndonjë zbulim, përkundrazi kjo është një metode e provuar dhe e sprovuar kudo që ka pasur ndërmarrje publike. Ajo nuk është e huaj as në Kosovë, ku sa për rikujtim një pjesë e anëtarëve të Bordit të Trustit të Kursimeve Pensionale janë zgjedhur përmes konkursit të hapur.

Emërimi I anëtarëve të ri të Bordit kurrsesi nuk mund të lejohet që të përfundoj pa debat dhe pa angazhim tek të gjithë qytetarëve- përfshirë këtu edhe shoqërinë civile dhe mediat- dhe as të veprohet pa marrë miratimin e tyre.
Të gjithë duhet të kujtojmë në vete, se nga ky udhëkryq PTK dhe ndërmarrjet e tjera publike, ose do të drejtohet në rrugën e mbarë ose në atë të gabuarën. Nëse zgjedhim gabimisht, asnjërit nga ne nuk do të na e falin gabimin gjeneratat e ardhshme. Mos të gabojmë!

(Autori është Drejtor menaxhues i PTK. Artikulli përfaqëson idetë profesionale të autorit, dhe nuk reflekton qëndrimin e PTK)