Dardania, fshat i internetit dhe kompjuterëve

Ferizaj, 9 korrik 2007- Fshati Dardani i Ferizajt, tash e tutje nuk do të njihet vetëm si fshat i kooperativave bujqësore. Në vend të grurit në ara të Moravës, dardanët e rinj do të kenë mundësi të përdorin internetin. Mbase kjo tingëllon si diçka shumë postmoderne, por që nga e premtja pas përurimit të qendrës për shpërndarjen e internetit “VIP Trading dhe Albi”, ky fshat mund të konsiderohet si qendër e internetit. Se nismat private mund t’ua kalojnë edhe atyre publike flet edhe ky rast. Kështu që Dardan-neti i PTKsë ka humbur betejën pikërisht në Dardani duke u vonuar me ofrimin e shërbimeve efikase, gjë të cilën tashmë ka nisur kjo kompani private. Ambiciet e projektit austriako-kosovar është që kjo qendër të jetë më e madhja në Ballkan për shpërndarje interneti dhe telefonie.

Austriakët nuk presin definimin e statusit
Për këtë projekt për të cilën u tha se deri në rrumbullakimin e tij të plotë do të kushtojë miliona euro kishte investuar edhe Qeveria austriake, e cila nuk ka pritur definimin e statusit të Kosovës që të investojë në Kosovë. Firma private themeluese ajo austriake “VIP trading” dhe ajo e Shaip Emerllahut “Albi company” janë bartës të këtij projekti. Tash për tash do të ofrohen shërbime të cilësisë së lartë në shumë fusha të teknologjisë informative, ndërsa sipas Alfred Vinkler, menaxher, pritet të punësohen deri 200 punëtorë.

Edhe pse mbahej në një fshat promovimi i këtij projekti përcillej me një disenj evropian. Në dy ekranë të mëdhenj jepeshin pamje nga zhvillimi i kompanisë, ndërsa me reflektorë “bombardohej skena nga drejtoheshin përshëndetje. Këtë projekt e përshëndetën edhe ministri Dugolli dhe kryetari Grainca, të cilët i gëzoheshin se këto investime rrisin besimin në sigurinë e realitetit politik në Kosovë. Sipas të dhënave që u paraqitën deri tashti shërbimet e kësaj kompanie kanë nisur t’i shfrytëzojnë qytetarët e Vitisë, Gjilanit dhe të Therandës.

Kompania është e specializuar për shërbime Wiereless internet (pa kabllo). Për të qenë sa më të përgatitur kjo kompani ka ngritur një objekt afarist në fshatin Dardani si edhe ka trajnuar një numër punëtorësh dhe ekspertësh.

A do të kompletohen kompjuterët?
Të gjithë të pranishmit shpresonin se ky është fillimi dhe se së shpejti në Dardani do të kompletohen edhe kompjuterët. Se “VIP Trading dhe Albi”, do të jetë adresa e parë për fushën e informatikës në Kosovë, mbase nuk ka dyshime, por për prodhimin eventual të elementeve elektronike apo të moduleve nuk u tha konkretisht asgjë. Por shpresa më e madhe për banorët e Dardanisë ishte se planifikohej të punësoheshin 200 veta, pas një kohe të afërt. Objekti i bukur i ngritur në afërsi të magjistrales Gjilan -Ferizaj, është shembulli më i mirë se fshati më nuk duhet shikuar si i margjinalizuar, por se idetë kreative mund ta kthejnë atë edhe në qendra të mëdha të zhvillimit modern. Interneti pa kabllo do të jetë shpëtim për kallot në duar të bujqve që punojnë arat. Dardania, të cilës i bien dritat e “Bondstell”-it tash e tutje do të jetë një qendër e botës së internetit nga do të nisen autostradat e komunikimit ndërkombëtar.

ECIKS / Koha Ditore