Kosova privatizon rrjetin energjetik

Qeveria e Kosovës i ka ftuar investitorët e jashtëm që të marrin pjesë në procesin e privatizimit të rrjetit energjetik në Kosovë. Ky proces pritet të përfundojë deri në fund të vitit të ardhshëm.

Sipas qeverisë, privatizimi i rrjetit energjetik në Kosovë do të bëhet me qëllim të përmirësimit të furnizimit të energjisë dhe përmbushjes së kritereve që dalin nga Traktati i Energjisë në Evropën Juglindore.

Kryeministri Hashim Thaçi tha se privatizimi i rrjetit energjetik ndikon në krijimin e një klime më të favorshme për investitorët potencialë dhe gjithashtu ndikon në inkurajimin e investimeve tjera në të gjithë sektorët e ekonomisë.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, tha se privatizimi i kësaj kompanie do të jetë transparent dhe korrekt për të gjithë ofertuesit.

Privatizimi i rrjetit energjetik do të kontrollohet nga këshilltarët e transaksionit, ekspertët vendorë dhe ata ndërkombëtarë.

Kapacitetet energjetike në Kosovë ende janë në pronësi të shtetit, por qeveria synon që të bëjë privatizimin e këtij sektori.

Përveç rrjetit energjetik, Kosova planifikon të privatizojë edhe termocentralet ekzistuese, minierat e thëngjillit dhe parasheh t’i ofrojë investitorëve edhe ndërtimin e një termocentrali të ri me kapacitet rreth 1000 Mw/h.

ECIKS