Kosova pranon borxhin

Prishtinë, 12 gusht— dhe pse insistimi i Serbisë është jashtëzakonisht i madh, që integriteti territorial i Kosovës të jetë nën administrimin e saj, zyrtarë të këtij shteti kanë lëshuar disa deklarata të çuditshme sa i përket shlyerjes së borxheve të Kosovës në organizata ndërkombëtare. Edhe pse Kosova ende nuk ka qasje në organizatat financiare ndërkombëtare, vendi ynë është i obliguar që borxhet të cilat janë marrë në emër të saj duhet t’i paguajë. Pushteti i serb i cili ka qenë mbi Kosovën deri në vitin 1999, ka qenë ai i cili ka vendosur për kreditë e marra për vendin tonë. Por zëvendëskryeministri i Serbisë, Bozidar Djeliç, ka thënë se borxhet të cilat janë marrë në emër të Kosovës, shteti i tij nuk do t’i paguajë. Ai ka thënë se Serbia do ta njoftojë Bankën Botërore për qëndrimin e saj që të ndalojë së paguari borxhet e Kosovës. Djeliç është shprehur se një gjë e tillë do të bëhet pasi që vendi nuk ka arritur të mbledhë taksat, akcizat dhe të ardhurat doganore që nga viti 1999.

Një gjë të tillë e pranojnë edhe institucionet kosovare, që sipas tyre, kjo është e ditur, pasi që Kosova edhe vetë kërkon që të ndahet nga Serbia dhe në këtë mënyrë të dyja vendet t’i paguajnë borxhet veç e veç.

“Qëndrimi i MEF-it është se Kosova borxhet e veta do t’i paguajë vetë, por pa ndërhyrjen e manipulimeve të Serbisë. As ne siKosovë nuk jemi të pajtimit që borxhet tona t’i shlyejë tjetër kush, e në këtë rast Serbia. Të gjitha ato mjete që figurojnë se janë të Kosovës, ato ne do t’i shlyejmë”, tha Muharrem Ibrahimi, sekretar i përhershëm në Ministrisë e Ekonomisë dhe Financave (MEF). Ndonëse deklarata të tilla mund të interpretohen si tendencë e Beogradit për të hequr dorë nga Kosova, ekonomisti serb Milan Prokopijevic shprehet se frika të tilla janë të pabaza.

“Do të duhej të kishim kërkuar që administrata ndërkombëtare në Kosovë dhe Metohi të kryejë shërbimin e çështjes së borxheve pas marrjes së provincës nën kontroll”, shprehet ai.

Por ekspertë kosovarë të cilët merren me çështje ekonomike, kanë deklaruar se në këtë aspekt nuk ka nevojë që Serbia t’ia përkujtojë të Kosovës që ata nuk i paguajnë borxhet tona. “Serbia e di faktin se Kosova nuk do të kthehet nën administrimin e saj. Por ne duhet të kërkojmë që të ndahet pasuria jonë si vend i Jugosllavisë. Në momentin kur ndahet obligimi ynë, ndahen edhe detyrat të cilat i kemi. Nuk ka rëndësi sa pasuri na takon, por ka rëndësi të na ndahet ajo që na takon neve, sipas përqindjes”, tha Besim Beqaj, drejtor i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK). Të njëjtën gjë e ka thënë edhe eksperti tjetër Driton Tali, i cili ka shtuar se për këto borxhe janë në dijeni institucionet vendorë, të cilat edhe vetë nuk pranojnë që Serbia t’i shlyejë borxhet e Kosovës.

“Që në fillimin institucionet e Kosovës e kanë thënë se vendi ynë do t’i paguajë borxhet që na takojnë. Por obligimet duhet të qartësohen. Ajo e cila është marrë për Kosovën dhe ka ardhur këtu, ajo normalisht se na takon neve që ta paguajmë. Në këtë diskutim duhet të hynë edhe dëmet e luftës si borxh i shtetit”, tha Tali. Se Kosova duhet t’i paguajë borxhet e veta, ajo është shkruar edhe në pakon e ish ndërmjetësit për bisedime mes këtyre dy vendeve, Marti Ahtisaari. Por drejtori i OEK-ut, Besim Beqaj, ka shtuar se këto borxhe nuk mund të diskutohen mes Serbisë dhe Kosovës, pa prezencën e organizatës në të cilën janë marrë mjetet.

“Borxhet e Jugosllavisë nuk janë çështje dy paleshe, kur bëhet fjalë për Kosovës. Ato janë çështje tri paleshe. Nuk mund t’i ndajmë në këto borxhe Kosovë- Serbi. Por ato duhet të ndahen Kosovë- Serbi dhe me Bankën Botërore (BB), nëse ato borxhe janë në raport me këtë organizatë”, tha ai. Ndërsa Tali është shprehur se borxhet në fjalë duhet të ndahen në mënyrë të drejtë. Sipas tij, Kosova nuk mund të paguajë borxh për Serbinë, kur kjo e fundit është e obliguar të paguajë dëmshpërblime për luftërat e shkaktuara në territore të ndryshme të Jugosllavisë. “Çka ka bërë Serbia në luftërat e Jugosllavisë, ajo është çështje e saj. Ne nuk mund t’i paguajmë dëmet të cilat Serbia i ka shkaktuar në luftërat në Bosnje e Kroaci. Ato luftëra janë marrë me vendim të qeverisë së shtetit të tyre. Kosovarët nuk e kanë votuar për kryetar Sllobodan Milosheviqin dhe ato borxhe nuk na takojnë neve”, tha Driton Tali, ekspert për ekonomi dhe nënkryetar i AKR-së”.

ECIKS