Kosova me 4% rritje ekonomike në 2009

Banka Qendrore e Kosovës raportoi se Kosova gjatë vitit 2009 kishte rritje ekonomike prej 4%. Sipas BQK-së rritja ekonomike në Kosovë ishte rezultat i afarizmit pozitiv të sistemit financiar dhe rritjes së sektorit privat.

Valentin Toçi, kryeekonomist i BQK-së tha se Kosova dhe Shqipëria ishin vendet e vetme në Evropën Juglindore që kishin shënuar rritje ekonomike dhe nuk kishin rënie të GDP-së kombëtare.

BQK raportoi se Kosova gjatë vitit 2009 importoi produkte dhe shërbime në vlerë prej 1.9 miliard euro, ndërsa eksportoi 162 milionë.

Statistikat e BQK-së tregojnë se gjatë gjysmës së dytë të vitit 2009 ishte rritur niveli i investimeve të jashtme direkte, prej tyre 69.9 % ishin investime kapitale, 23.2% ishin investime të rikrijuara në Kosovë, ndërsa pjesa tjetër ishin investime të tjera.

Banka Qendrore raportoi se Kosova gjatë vitit 2009 kishte një buxhet të balancuar, sa i përket të hyrave dhe shpenzimeve kombëtare. Të hyrat në buxhet gjatë vitit të kaluar ishin 1.05 miliard euro, ndërsa shpenzimet ishin 926 milionë.

Sipas këtij raporti sektori bankar në Kosovë vazhdon të rritet dhe të zgjerohet. Kreditë në bankat kosovare u rritën për 9%, ndërsa depozitat u rritën për 21%. Edhe institucionet mikrofinanciare dhe kompanitë e sigurimeve (+21.2%) kanë vazhduar të rriten dhe të zgjerohen në treg.

ECIKS