Kosova ka investimet më të vogla në rajon

Gjatë vitit 2004 investimet e huaja direkte në Kosovë kanë qenë vetëm 31 milionë euro apo dhjetë herë më pak se në Shqipëri, ku shënonin 309 milionë euro. Në Bosnjë-Hercegovinë këto investime, sipas MEF-it, ishin 344 milionë euro, në Maqedoni 94 milionë euro, ndërsa në Serbi-Mali i Zi 620 milionë euro

Prishtinë, 14 qershor 2005 – Përkundër premtimeve të udhëheqësve perëndimor se Kosova nuk do të jetë vendi me më shumë investime në rajon, faktet dëshmojnë të kundërtën. Gjashtë vjet pas përfundimit të luftës, investimet në Kosovë janë më të voglat në rajon. Sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, gjatë vitit 2004 investimet e huaja direkte në Kosovë ishin vetëm 31 milionë euro apo dhjetë herë më pak se në Shqipëri, ku investimet e huaja direkte ishin 309 milionë euro. Pas Kosovës, me investime më të vogla në rajon radhitet Maqedonia, ku investimet e huaja janë vetëm 94 milionë euro. Bosnjë-Hercegovina, sipas statistikave të MEF, ka disa dhjetëra milionë euro investime më të mëdha se Shqipëria apo saktësisht 344,4 milionë euro. Nga të gjitha vendet ballkanike dominon Serbi-Mali i Zi, ku investimet e huaja direkte në këtë vend janë 620 milionë euro.

“Ka shumë shkaqe pse Kosova ka mungesë të investimeve të huaja, por problemi i parë është moszgjidhja e statusit të Kosovës. Gjithashtu pengesë për investimet e huaja është ngecja e privatizimit dhe mungesa e klimës së favorshme investuese në Kosovë,” tha Bejtush Kiçmari, analist makroekonomik në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave. Sipas tij, tani kanë filluar të krijohen disa lehtësira fiskale që nuk kanë qenë më parë, dhe për shumë prej tyre pritet të vendoset në mbledhjen e Këshillit Ekonomik Fiskal. “Investitorët nuk vijnë në një ambient të tillë. Parësor mbetet zgjidhja e statusit të Kosovës,” shtoi Kiçmari.

Po ashtu, investimet e jashtme direkte në Kosovë, si përqindje e Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar (GDP) kanë një pjesëmarrje të ulët prej 0,01 për qind, derisa në vendet e tjera rajonale janë dukshëm më të larta. Në Shqipëri pjesëmarrja e këtyre investimeve në GDP-në e përgjithshme është 5 për qind, ndërsa në Bosnjë-Hercegovinë merr pjesë me 5,2 për qind. Në Maqedoni kjo shifër është 2,3 për qind, ndërsa në Serbi-Mali i Zi vetëm 2 për qind. Por derisa në Kosovë investimet e huaja direkte kanë qenë vetëm 31 milionë euro, në të gjithë rajonin në total për vitin 2004 ishin rreth 1 miliard e 360 milionë euro. Kjo shifër është më e ulët se në vitin 2003, ku investimet në rajon ishin 1 miliard e 700 milionë euro, ndërsa nga kjo shumë vetëm Serbi-Mali i Zi kishin 1 miliard e 230 milionë euro.

ECIKS / Biznesi