Kosova fton kompanite austriake per investime ne bujqesi

Në një konferencë për promovimin e investimeve në Grac të Austrisë, Ministri Blerand Stavileci dhe Ambasadori i Kosovës në Vjene Sabri Kiqmari kanë ftuar kompanitë austriake që të investojnë në bujqësi dhe pylltari në Kosovë.

Konferenca e organizuar nga Ambasada e Kosovës në Vjenë, Qeveria e Shtajermark, ECIKS dhe ICS ka grumbulluar në Grac kompani dhe ekspertë austriakë në fushën e bujqësisë, përpunimit të ushqimit dhe pylltarisë si dhe përfaqësues të Qeverisë së Kosovës dhe të Qeverisë së provincës austriake të Shtajermark.

Në fjalët e tyre hapëse, Ambasadori i Kosovës në Vjenë, Sabri Kiqmari dhe përfaqësuesja e Qeverisë së Shtajermark, Znj. Eva Lipp kanë ftuar kompanite austriake të shfrytëzojnë përparësitë dhe potencialet që i ofron Kosova në sektorin e bujqësisë dhe pylltarisë.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci në një përmbledhje më të detajuar të klimës së përgjithshme politike dhe investive në Kosovë, ka premtuar përkrahje nga Qeveria e Kosovës për investimet austriake dhe i ka ftuar kompanite austriake të vizitojnë Kosovën me qëllim të identifikimit të potencialeve dhe përparësive për investime në sektorët e bujqësisë e pylltarisë.

Konferenca ka vazhduar me një panel diskutimi të përbërë nga ekspertë austriak e kosovarë. Përfaqësuesi i Nismës Ekonomike për Kosoven (ECIKS), Hamëz Morina ka prezantuar para kompanive austriake shërbimet që i ofron zyra e Agjencisë së Kosovës për Promovimin e Investimeve në Vjene, zyre kjo që menaxhohet nga ECIKS. Ai ka ftuar investitorët potencial austriak që ti shfrytëzojnë shërbimet gratis të ofruara nga kjo zyrë.

Në panel janë prezantuar edhe kompani austriake që tashmë kane investuar në Kosovë, duke sjellur përvojën e tyre praktike dhe duke u ofruar investitorëve potencial austriak këshilla dhe dëshmi që investimet në bujqësi në Kosovë janë të mundshme e fitimprurëse.

Gjate ditës delegacioni i MBPZHR ka pasur edhe takime direkte me kompani austriake të interesuara për investime në Kosovë si dhe ka vizituar nje kompani austriake në sektorin e përpunimit të ushqimit.

Gjate ditës së nesërme Ministri Stavileci do të nënshkruajë në Vjenë një Memorandum Mirëkuptimi me Ministrinë e Bujqësisë të Republikës së Austrisë.

ECIKS