Kosova e Re, energji për eksport

Termocentrali Kosova e Re do të sigurojë energji të mjaftueshme dhe të qëndrueshme për konsumin vendor dhe për eksport ndërkombëtar. Ky termocentral do të ndërtohet sipas standardeve evropiane të ambientit, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi, në një konferencë për gazetarë, pas marrjes së vendimit në mbledhjen e sotme të qeverisë, për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re.

Kapaciteti i përgjithshëm i termocentralit do të jetë 2000 MW, ndërsa ndërtimi do të bëhet në dy faza. Faza e parë prej 1000 MW do të ndërtohet menjëherë, ka thënë Thaçi.

Sipas kryeministrit kosovar, Qeveria do ta ketë partneritetin e vazhdueshëm dhe përkrahjen nga Banka Botërore, Qeveria e SHBA-së dhe Komisioni Evropian.

Transparenca do të jetë elementi kyç që do ta përcjellë çdo fazë të zbatimit të këtyre projekteve. Zbatimi i kësaj strategjie do të kërkojë jo vetëm ekspertizën teknike, por edhe kontribut të konsiderueshëm financiar, si dhe garancinë nga donatorët dhe investitorët privatë, është zotuar ai.

Thaçi u shpreh se Qeveria është duke lëvizur përpara me projektin për termocentralin Kosova e Re, pas një serie të mbledhjeve të Komitetit Drejtues të Projektit në dy javët e kaluara. “Këto veprime janë pjesë e një strategjie më të gjerë për sektorin e energjisë dhe kanë për qëllim furnizimin e qëndrueshëm dhe kualitativ me energji”.

Sipas tij, reformimi i sektorit të energjisë do të promovojë rritjen e shpejtë ekonomike dhe do ta përshpejtojë anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.

Thaçi theksoi se planet e Qeverisë për energjinë kërkojnë pjesëmarrje të gjerë: Duhet të sigurohet pagesa e faturave dhe zvogëlimi i energjisë së humbur; duhet të sigurohen investimet financiare në hapjen e mihjeve të reja, ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese, rehabilitimin e njësive ekzistuese gjeneruese dhe zgjerimin e rrjeteve tona të transmisionit dhe shpërndarjes; Qeveria e Kosovës bashkë me Komisionin Evropian, USAID-in dhe Bankën Botërore do të organizojnë një takim të Partnerëve të Kosovës për Energji gjatë këtij viti për të harmonizuar modalitetet dhe gjetur rrugën më të mirë për të tërhequr investimet private në sektorin e energjisë.

Kryeministri falënderoi Komisionin Evropian, Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe Bankën Botërore, për ndihmën dhënë për modernizimin e sektorit të energjisë në Kosovë.

Duke u bazuar në këtë bashkëpunim, Thaçi tha se Qeveria ka formuluar një strategji të bazuar në pesë pika veprimi, për të zgjidhur problemin kronik të energjisë në Kosovë:

1. Termocentrali Kosova e Re dhe hapja e mihjes në Sibovc do të shkojnë përpara me ndihmën e vazhdueshme të Bankës Botërore.
Termocentrali do të sigurojë energji të mjaftueshme dhe të qëndrueshme për konsumin vendor dhe për eksportin ndërkombëtar.
Kosova e Re do të zhvillohet me teknologjinë më të re të termocentraleve super-kritike dhe me mundësinë për t’u pajisur për kapjen dhe ruajtjen e karbonit. Ajo do t’i përmbushë standardet evropiane të ambientit dhe ato sociale, si dhe do të vendos një standard të ri teknologjik në rajonin tonë.Ne jemi përcaktuar që madhësia e përgjithshme të jetë 2000 MW e ndërtuar në dy faza – faza e parë prej 1000 MW do të ndërtohet menjëherë. Lokacioni pranë termocentralit Kosova B do t’i ofrohet investitorit të ardhshëm për të ndërtuar termocentralin Kosova e Re. Depozitat e linjitit në veri të mihjeve të tashme të Bardhit dhe Mirashit – Mihja e re e Sibovcit – do t’i ofrohet investitorit të ardhshëm për zhvillim në baza koncesioni. Kosova do të ketë përfitime të konsiderueshme ekonomike nga ky projekt nëpërmjet mekanizmave të ndryshëm të tërheqjes së të ardhurave, për shembull, nëpërmjet taksave, tantiemave, aksioneve etj., që do të përfshihen në marrëveshjen me investitorin e ardhshëm.

2. Termocentrali Kosova B paraqet pjesën më të rëndësishme të gjenerimit të tashëm vendor të energjisë dhe është një prej shtyllave të sektorit të energjisë në Kosovë. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe partnerët tonë, parashohin një partneritet publik-privat për Kosovën B, që do të tërheq kapitalin e nevojshëm privat për rehabilitimin dhe privatizimin e saj.

3. Termocentrali Kosova A: Me përkrahjen e Komisionit Evropian, Qeveria e Kosovës përkushtohet për mbylljen dhe dekomisionimin e Kosovës A, sa më shpejtë që kjo të jetë e mundur, në mënyrë që të adresojë brengat serioze për ambientin dhe shëndetin të lidhura me këtë termocentral. Ne po synojmë që dekomisionimi të kompletohet gjatë periudhës së vitit 2014- 2015. Ky pozicion është në pajtim me obligimet që dalin nga Marrëveshja për Komunitetin Energjetik, që flet për mbylljen e këtij termocentrali më së largu deri në fund të vitit 2017. Zbatimi me kohë i projektit Kosova e Re do të kompensonte prodhimin e zvogëluar të energjisë nga Kosova A.

4. Distribuimi i KEK-ut: Në fund të vitit 2008, Qeveria ka marrë vendim për të privatizuar funksionin e distribuimit në KEK.
Modalitetet e privatizimit do të shqyrtohen në javët që vijnë, me ndihmën e një këshilltari për transaksion, që do të emërohet së shpejti. Qeveria është e bindur se privatizimi i distribuimit të KEK-ut do të mundësojë investimet e nevojshme për ngritjen e rrjetit të distribucionit dhe uljen e humbjeve teknike. Kjo do të përmirësojë tutje performansën fianciare të kompanisë për distribuim, e cila do të shërbente si një partner i besueshëm për investitorët e Kosovës B dhe Kosovës së Re.

5. Energjia alternative: Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për zhvillimin e hidro-potencialit të ripërtërishëm kosovar për gjenerim të energjisë, dhe për hulumtim për energji solare dhe energji të bazuar në erë. Për këtë qëllim, së bashku më Bankën Botërore e kemi përfunduar studimin e fizibilitetit për hidrocentralin e Zhurit. Hidrocentrali i Zhurit do të jetë projekti më i madh hidroenergjetik i Kosovës, i cili do t’u ofrohet investitorëve potencialë nga sektori privat nëpërmjet një procesi të hapur, transparent dhe konkurrues.

Për zbatimin e të gjitha këtyre masave, Qeveria beson se do ta ketë partneritetin e vazhdueshëm dhe përkrahjen nga Banka Botërore, Qeveria e SHBA-së dhe Komisioni Evropian.

“Transparenca do të jetë elementi kyç që do ta përcjellë çdo fazë të zbatimit të këtyre projekteve”, u shpreh Thaçi para gazetarëve. “Zbatimi i kësaj strategjie do të kërkojë jo vetëm ekspertizën teknike, por edhe kontribut të konsiderueshëm financiar, si dhe garancinë nga donatorët dhe investitorët privatë”.

Kryeministri tha se është i bindur se së bashku me partnerët, Qeveria do ta zgjidhë krizën energjetike në Kosovë dhe Kosova do fillojë ta vërë në funksion potencialin e saj në fushën e energjisë në tërë rajonin.

Një gjë e tillë, sipas tij, do t’iu mundësojë qytetarëve të Kosovës furnizim të rregullt me energji elektrike, bizneseve rrymë të pandërprerë dhe kjo do bëjë që shumë investitorë të tjerë t’i orientojnë investimet e tyre në Kosovë.

Gazeta Express