Kosova e 98-ta në “Doing Business Report“

Për herë të parë që prej përfshirjes së Kosovës në raportin e Bankës Botërore “Të Bërit Biznes”, për vitin 2013 Kosova shënon progresin më të madh në këtë rangim. Në krahasim me vitin e kaluar, kur Kosova ishte në pozitën 117, këtë vit është listuar si vendi i 98-të për të bërit biznes nga 183 shtete të botës. Kjo do të thotë që Kosova është ngritur plot 19 pozita më lartë në raportin më kualitativ të indikatorëve në të bërit biznes.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Mimoza Kusari – Lila, duke e pasur si prioritet kyç përmirësimin e ambientit për të bërë biznes, ka drejtuar Task Forcën për reformat e të bërit biznes në Kosovë dhe ka koordinuar implementimin e reformave në përmirësimin e indikatorëve, të cilët dalin nga raporti i Bankës Botërore.

Gjatë kësaj periudhe, janë hapur 26 qendra për regjistrim të biznesit “one-stop-shop” ku bizneset mund t’i kryejnë të gjitha shërbimet në një vend dhe të marrin numrin e regjistrimit të biznesit bashkë me numrin fiskal brenda ditës në një dokument të vetëm. Gjithashtu, janë ndërmarrë një mori reformash me qëllim të përmirësimit të ambientit për të bërë biznes.

“Kosova ka arritur progres në fillimin e biznesit duke eliminuar kërkesën për kapital fillestar, pagesën për regjistrim të biznesit, mbrojtja e investitorëve është forcuar dhe ka përshpejtuar dhe thjeshtësuar procesin për regjistrim të biznesit” – thuhet në raportin e të bërit biznes 2013.

Sipas raportit të Bankës Botërore, mbrojtja e investitorëve është ngritur për 74 pozita më lartë, duke e bërë ngritjen më të madhe krahasuar me indikatorët tjerë të këtij raporti.

Vlerësimi i këtij raporti bazohet në 11 indikatorë: fillimi i biznesit, marrja e lejes për ndërtim, sigurimi i energjisë elektrike, regjistrimi i pronës, marrja e kredisë, mbrojtja e investitorëve, pagesa e taksave, zbatimi i kontratave, zgjedhja e pamundësisë së borxhit, tregtia përmes kufijve dhe punësimi i punëtorëve.

/Telegrafi/