Kosova dhe Turqia shmangin tatimet e dyfishta

Kosova dhe Turqia vazhdojnë bashkëpunimin në ekonomi. Pas marrëveshjes në fushën e Doganave, ministrat e financave të të dy shteteve, nënshkruan marrëveshje edhe në fushën e tatimeve.

Ministri i financave i Kosovës, Bedri Hamza, vlerësoi se marrëveshja është shumë e rëndësishme: “Nënshkruam edhe një marrëveshje tjetër për thellimin e bashkëpunimit tonë, marrëveshjen për eliminimin e tatimit të dyfishtë, që ka për qëllim tërheqjen e investitorëve dhe krijimin e kushteve të mira për bizneset e të dyja vendeve. Ne i kemi filluar negociatat edhe për një marrëveshje tjetër, që është marrëveshja për tregti të lirë”, tha Hamza.

Kurse ministri i financave i Republikës së Turqisë, Mehmet Shimshek. vlerësoi se rritja ekonomike, paqja dhe qëndrueshmëria e Kosovës, janë të rëndësishme për tërë rajonin dhe theksoi se marrëveshja për eliminimin e tatimeve të dyfishta do të ndikojë në rritjen e investimeve dhe të ekonomisë në përgjithësi.

“Ne i stimulojmë firmat dhe afaristët turq që të vijnë në Kosovë dhe Kosovën ta shohin si një djep të investimeve për Evropën. Në saje të reformave që janë bërë nga qeveria, Kosova është shndërruar në një qendër të tërheqjes së vëmendjes së investitorëve”, theksoi ai.

Marrëveshja pritet të fillojë të zbatohet më 1 janar të vitit 2013.

/Telegrafi/