Prishtinë, 17 tetor 2006 – Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të KB-ve në Kosovë (PSSP) Joachim Rücker dhe Ministri Ethem Çeku nga Ministria e Energjisë dhe Minierave janë takuar sot me Ministrin shqiptar Genc Ruli nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë për të nënshkruar dy memorandume të rëndësishme të mirëkuptimit mbi energjinë, njofton shërbimi për informim i MEM-it. Këto dy memorandume trasojnë rrugën për bashkëpunim dhe koordinim për interesat e përbashkëta në fushën e energjisë, posaçërisht asaj energjisë elektrike, thuhet në njoftim.
Në Memorandumin e Mirëkuptimit për Bashkëpunim në Fushën e Energjisë, memorandumi i parë nga dy memorandumet e nënshkruara sot, të dy palët pajtohen që të përmirësojnë furnizimin, rrisin shfrytëzimin e efektshëm të të dy sistemeve elektrike, dhe të zvogëlojnë nevojën për energji të importuar elektrike gjatë periudhave kur çmimet janë të larta. Për më shumë, të dyja palët pajtohen të koordinojnë dhe ndërtojnë një linjë interkonekcioni 400 kV në mes të Shqipërisë dhe Kosovës; të bashkëpunojnë dhe këmbejnë në të gjitha fushat e sektorit të energjisë, përfshirë planifikimin dhe zhvillimin e sistemit të energjisë; që bashkërisht të përgatisin dhe implementojnë projektet bilaterale dhe rajonale që mund të financohen brenda iniciativave ndërkombëtare, dhe; të zhvillojnë burimet e ripërtërishme dhe të bëjnë promovimin e efektshmërisë së energjisë në pajtim me Direktivat Evropiane. Të dyja palët gjithashtu pajtohen që të promovojnë investimet e sektorit privat në zhvillimin e sektorit të energjisë.
Memorandumi i Mirëkuptimit për të Koordinuar Ndërtimin e Linjës së Re të Interkonecionit prej 400 kV cakton se si të dy palët do të institucionalizojnë bashkëpunimin e tyre për krijimin e kushteve për ndërtimin e linjës së re të interkonekcionit prej 400 kV të referuar në Memorandumin e Bashkëpunimit në Fushën e Energjisë. Ndërtimi i linjës së re të transmetimit bazohet në studimin e fizibilitetit që është financuar dhe kryer nga Banka Botërore në vitin 2005.
“Nënshkrimi i këtyre memorandumeve është një lëvizje e rëndësishme drejt promovimit të Kosovës për bashkëpunim më të afërt rajonal në fushën e energjisë dhe bashkëpunimi më i afërt i kombinuar me dy sisteme kompatibile dhe të mira të energjisë do të na ndihmojë që të tejkalojmë pengesat dhe sfidat e energjisë më lehtë. Dokumentet e nënshkruara sot ofrojnë një udhërrëfyes real për arritjen e qëllimeve të përbashkëta”, tha Ministri i Ministrisë së Energjisë dhe Minierave, Ethem Çeku.
Të dy Memorandumet e Mirëkuptimit janë nënshkruar nga PSSP-ja Joachim Rücker dhe Ministri Ethem Çeku dhe Ministri Genc Ruli nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë.
ECIKS