„Kosova C“ kalon në fazë tjetër

Prishtinë, 13 shkurt 2007 – Brenda muajit mars, komiteti drejtues për ndërtimin e termocentralit “Kosova C”, përmes tenderit do të përzgjedhë tri kompani që do të ndihmojnë në tenderin për ndërtimin e termocentralit të ri, i cili do të prodhojë 2100 megavat orë energji elektrike.

Ministri i Energjisë dhe Minierave, Et’hem Çeku, tha se kompanitë që do të përzgjidhen do të jenë për këshilltarë dhe transaksione financiare, kompania për këshilltarë ligjorë dhe kompania për çështje mjedisore.” Ato do të japin kontributin e tyre që tenderi për ndërtimin e termocentralit të shkojë ashtu siç është paraparë”. Sipas Çekut, në fund të këtij vitit do të përzgjidhet edhe kompania e cila do të ndërtojë termocentralin.

Ndërkaq, në vitin 2008 do të nisin negociatat për të pasuar më pas ndërtimi i tij. Ministri Çeku tha se ndërtimi sa më i shpejtë i termocentralit të ri do të shpëtojë Buxhetin e Kosovës, ngase sipas tij aty për çdo vit po investohen shuma të mëdha të mjeteve.”Prej vitit 1999 e deri më tash në KEK janë investuar rreth 440 milionë euro, mjete këto të Buxhetit të Kosovës. Nëse nuk bëjmë zgjidhje, ne do të shpenzojmë edhe më shumë mjete dhe nuk do të kemi energji. Për çdo vit në KEK investojmë rreth 70 milionë euro”, tha ai , gjatë një takimi me anëtarë të komisionit për Ekonomi, Industri Energjetikë, ku temë e takimit ishte njoftimi me ecurinë e punëve për ndërtimin e termocentralit të ri. Edhe Lorik Haxhiu, nga Ministra e Energjisë dhe Minierave, tha se për çdo vit në Kosovë ka rritje të konsumit prej 8.4 për qind. Sipas tij, në vitin 2025 do të dalin nga prodhimi edhe termocentrali “Kosova A”, por edhe termocentrali “Kosova B”. Do të mbetet në prodhim vetëm termocentrali “Kosova C”. As ministri Çeku, por as këshilltaret e tij nuk kanë dhënë zgjidhje konkrete për furnizim me energji elektrike deri në vitit 2012, atëherë kur planifikohet të nisë prodhimi i blloqeve të para të “Kosovës C”.

ECIKS / Gazeta Lajm