Kosova bëhet anëtare e VEF

PRISHTINË, 26 MARS – Republika e Kosovës është bërë anëtarja e katërmbëdhjetë e Forumit Ekonomik të Vjenës. Nënshkrimi i marrëveshjes për anëtarësimin e Kosovës në këtë trup është bërë të enjten në Prishtinë nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në emër të Qeverisë së Kosovës dhe Erhard Busek në emër të Forumit Ekonomik të Vjenës. Kjo marrëveshje nga të pranishmit është cilësuar si hapje rrugë perspektivës së shtetit të ri në zhvillimin ekonomik rajonal. Në këtë organizatë merr pjesë edhe Serbia, mirëpo përfaqësuesi i saj nuk ka udhëtuar në Prishtinë. Presidenti i Forumit, Busek, thotë se lojtarët duhet t’i respektojnë rregullat.

“Forumi është organizatë nga Austria, dhe Austria e ka njohur pavarësinë e Kosovës, kështu që edhe shtetet e tjera duhet ta pranojnë këtë”, ka thënë Busek. Rreth 180 përfaqësues biznesesh që morën pjesë në forumin me temën “Investo në Kosovë – investo në rajon”, të mbajtur në Prishtinë, janë ftuar nga udhëheqësit e sektorit të ekonomisë kosovare që të investojnë në Kosovë dhe posaçërisht në sektorin e energjisë elektrike, telekomunikacion dhe infrastrukturë rrugore.

Gjatë fjalimit të tij, kreu i qeverisë, Hashim Thaçi, u garantoi investitorëve se Kosova është vend i sigurt dhe atraktiv për investime të huaja, pasi ka resurse të mjaftueshme natyrore dhe njerëzore, që garantojnë kthim të investimeve. Qeveria që ai drejton, sipas tij, ka bërë progres të dukshëm në krijimin e një ambienti të favorshëm për biznes, për investime, për gjenerimin e vendeve të reja të punës, bashkëpunim rajonal, si dhe rritjen e efikasitetit institucional në përgjithësi.

“Politikat dhe administrata tatimore janë solide, baza e taksave është e gjerë dhe niveli i taksave është i ulët. Ne kemi ulur edhe me tej taksat në mënyrë që Kosova të jetë edhe me atraktive për investitorët e huaj”, tha Thaçi duke kujtuar se taksat e të hyrave të korporatës aktualisht janë 10 për qind, ndërsa ekziston edhe regjim liberal i tregtisë me tarifa modeste. Gjatë këtyre viteve, sipas tij, Kosova ka bërë progres të dukshëm për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, që reflektohet në një rritje të qëndrueshme ekonomike prej 5.5 për qind, ruajtje e nivelit të inflacionit dhe rritje të të ardhurave vjetore për kokë të banorit. Ai tha se Kosova ofron mundësi të shumta investimi siç janë pasuri me resurse natyrore, lignit, plumb, zink, nikel dhe tokë pjellore, popullatë të re dhe të motivuar, qasje e lirë në tregun e CEFTA-s dhe tregjeve të vendeve fqinje, kornizë ligjore moderne dhe kompatibile me atë të BE-së, si dhe valutë zyrtare euro.

Busek: Ndryshimet në Kosovë janë mbresëlënëse

Ky forum është udhëhequr nga presidenti i Forumit Ekonomik të Vjenës, Erhard Buseku, i cili iu bashkua kryeministrit duke ftuar biznesmenët, që kishin ardhur nga vende të ndryshme, të investonin në sektorin e energjisë, infrastrukturës dhe telekomunikacionit. “Ndryshimet që janë bërë në krahasim me vitet paraprake nga kosovarët janë mbresëlënëse”, pohoi Busek, duke thënë se kishte ardhur në Prishtinë për të përkrahur zhvillimin ekonomik. Ai ka thënë se kriza ekonomike është e pashmangshme, por pasi që deri tani nuk e ka prekur rajonin direkt, ka shpresë se Kosova do të kalojë më lehtë për shkak të sistemit të mbyllur ekonomik. “Kriza është e pashmangshme. Do të ketë një ndikim në Kosovë, por mundësitë janë më të mira për ta kaluar”, është shprehur Busek.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, u bëri thirrje investitorëve të marrin pjesë në privatizimin e kompanive publike, si KEK-ut, PTKsë e Aeroportit, duke garantuar proces tejet transparent. Njëkohësisht rikujtoi se Qeveria ka krijuar kornizën institucionale për partneritetin publiko – privat. “Përmes këtij partneriteti, Qeveria e Kosovës synon të arrijë tri qëllime kryesore; të sigurojë efikasitet në menaxhimin e aseteve publike, për të siguruar mundësi për investime dhe menaxhim dhe për t’i treguar bashkësisë ndërkombëtare se jemi mirënjohës për biznes”, ka thënë ministri Shala.

Justina Shiroka-Pula, ministre e Energjisë dhe Minierave, gjatë fjalimit të saj u përqendrua në planet e Qeverisë për investimet në sektorin energjetik. Ajo tha se Qeveria është e angazhuar të bëjë çfarëdo për të arritur sa më parë në një situatë ku shërbimet energjetike janë të mjaftueshme dhe cilësore.

“Kosova ballafaqohet me vështirësitë në furnizimin e qëndrueshëm dhe të pandërprerë me energji elektrike. Kjo jo vetëm se termocentralet ekzistuese janë të vjetruar dhe kanë nevojë për mirëmbajtje, por edhe sepse kërkesa për energji është më e madhe sesa mundësia për të prodhuar”, tha Shiroka-Pula. Ajo ftoi investitorët që të interesohen për tri projektet e mëdha që do të realizohen në sektorin e energjisë: ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re”, investimet në sektorin e shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike, përgatitja për ndërtimin e hidrocentralit të Zhurit. Ajo paralajmëroi ndërtimin e 16-18 hidrocentraleve të vogla gjatë vitit 2009.

Shala premton adoptim të marrëveshjeve tregtare të padëmshme nga ish-Jugosllavia

Drejtori i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Dino Hasanaj, njoftoi pjesëmarrësit se këtë vit pritet privatizimi i dhjetëra ndërmarrjeve shoqërore në 10 raunde të privatizimit. Në fillim të nëntorit ai paralajmëroi edhe hapjen e procesit të privatizimit të qendrës së skijimit në “Brezovicë”.

Pak më pesimist në investimet në Kosovë ishte përfaqësuesi i Bankës Botërore në Kosovë, Ranjit Nayak, i cili ua rikujtoi pjesëmarrësve se në botë ka një krizë ekonomike e cila sipas tij nuk do ta kursejë Kosovën. “Edhe në Kosovë do të ndikojë kriza ekonomike globale”, u shpreh Nayak duke dhënë megjithatë edhe një pikë shprese për rimëkëmbjen e ekonomisë kosovare pas kësaj vere, kur pritet që Kosova të bëhet anëtare e Fondit Monetar Ndër-kombëtar dhe Bankës Botërore.

Përfaqësues të biznesit të huaj në Kosovë, ndërkaq, shprehën shqetë-simin e tyre për taksat e dyfishta që duhet t’i paguajnë investitorët e huaj. Ata kërkuan që të paktën Kosova të aplikojë marrëveshjet e vjetra të ish- Jugosllavisë me vendet e tjera apo t’i rinënshkruajë ato që bizneset mos të paguajnë taksa të dyfishta. Ministri Shala u premtoi atyre se së shpejti do të adaptohen marrëveshjet e vjetra dhe ato nuk do ta dëmtojnë Kosovën por do të jenë në të mirë të bizneseve. Ministri i Transportit dhe Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, i cili udhëhoqi raundin e dytë të diskutimeve në Forum foli për të arriturat e Kosovës në ndërtimin e infrastrukturës rrugore dhe ftoi të interesuarit të shprehin interesimin e tyre për investimet në projektet që kjo ministri është duke i bërë gati.

Në këtë Forum morën pjesë rreth 180 pjesëmarrës nga 90 vende.

Koha Ditore