Kosova anëtare e BERZH-it

Kosova u bë pjesë edhe e një institucioni ndërkombëtar, e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), duke e quar kështu në 66 numrin e vendeve anëtare të saj.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, përmes një komunikate për media, ka thënë se lajmi për anëtarësimin në BERZH i është konfirmuar përmes telefonit nga presidenti i kësaj banke, Suma Chakrabarti.

Thaçi pohoi se kjo bankë është investuese e madhe në shtetet që përjetojnë tranzicion dhe investon në një gamë të gjerë dhe se bizneset private, bankat lokale, projektet publiko-private, por edhe komunat kanë të drejtë aplikimi për fonde dhe kredi të favorshme dhe përqindje të ulët interesi.
“Kosova është e interesuar të ketë investime në tre fusha me rëndësi nacionale: bujqësi, ndërmarrje të vogla dhe të mesme, si dhe në sektorin e energjetikës, përkatësisht projektet e Termocentralit ‘Kosova e Re’ dhe Hidrocentralit të Zhurit.

Inkurajoj bizneset kosovare që të zhvillojnë projekte të mira dhe të qëndrueshme dhe të përdorin anëtarësinë për rritjen e biznesit dhe vendeve të punës. Pritet që Kosova që në vitet e para të anëtarësisë të përfitojë investime me dhjetëra miliona euro, me kushte shumë të volitshme dhe në projekte konkrete”, ka thënë ai.
Anëtare me të drejta të plota në BERZH, Kosova do të jetë nga 17 dhjetori i këtij viti.

/Telegrafi/