Kosova afër anëtarësimit në BERZH

Kosova së shpejti mund të jetë pjesë e Bankës Evropiane për Rindërtim e Zhvillim, pasi ka plotësuar disa nga kriteret për anëtarësim.

Sipas një Zëdhënësi të Ministrisë së Financave, ekzistojnë tri kritere kryesore që një vend të anëtarësohet në BERZH.

Vendi pretendent, sipas tij, duhet që më parë të jetë pjesë përbërëse e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, si dhe ta ketë përkrahjen e shteteve që kanë shumicën e aksioneve në këtë bankë.

Kushti i tretë për t’u anëtarësuar në Bankën Evropiane, është pajtimi i më së paku 39 shteteve të kësaj banke për ta pranuar vendin që synon anëtarësimin.

Kosova, sipas këtij zëdhënësi, ka plotësuar dy kriteret e para, pasi është pjesë e dy institucioneve financiare ndërkombëtare-Bankës Botërore dhe FMN-së, ndërsa shtetet që na kanë njohur, kanë më së shumti aksione në këtë bankë.

Problem paraqet sigurimi i numrit të mjaftueshëm të shteteve që do ta përkrahin hyrjen e Kosovës në këtë institucion, pasi vetëm 38 shtete që na e kanë pranuar pavarësinë, janë pjesë e kësaj banke, ndërsa për të qenë anëtar me të drejta të plota, vendit tonë i duhet edhe një votë, nga shtetet që nuk na njohin.

/Telegrafi/