Gjatë këtij viti pritet të bëhet përzgjedhja e kompanisë e cila do të ndërtojë termocentralin “Kosova e Re” dhe të realizohen një varg projektesh tjera, ka treguar Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Besim Beqaj, gjatë një konferencë për media, ku ka prezantuar prioritetet e kësaj ministrie për vitin 2012.
Ai tha se Qeveria është duke bërë reforma strukturore në sektorin e energjisë, me qëllim të tërheqjes së investimeve të reja. Ai paralajmëroi hapa konkretë në drejtim të procesit të stërzgjatur të termocentralit “Kosova e re”.
“Ne jemi në një fazë relativisht të mirë, ku me këshilltarin e transaksionit dhe me përgatitjet që janë bërë, shpresojmë që brenda shkurtit do ta shpallim ftesën për oferta dhe synojmë që brenda këtij viti ta kemi përmbylljen financiare, ta shpallim fituesin, i cili do të merrte për obligim investimet në Kosovën e re”, tha ministri Beqaj.
Ministria e zhvillimit ekonomik në agjendë sivjet e ka edhe privatizimin e PTK-së, e njëkohësisht do të angazhohet për kodin shtetëror të telefonit dhe internetit, tha ministri Beqaj.
Sa i përket privatizimit të distribucionit dhe furnizimit, ministri Beqaj tha se i kanë tërë dokumentet e nevojshme dhe së shpejti do të shpallin fituesin e tenderit. Ai tha se sivjet do të nisë edhe ndërtimi i linjës 400 kilovoltëshe me Shqipërinë, do të bëhen analiza për prodhimin e energjisë së ripërtërishme dhe do të themelohet agjencia për efiçiencë të energjisë.
/Telegrafi/