Kosmocelli nuk paguan paratë

Konsorciumi “Kosmocell” nuk i ka paguar 81 milionë eurot e ofruara për tenderin mobil. Përfaqësuesit e saj thonë se kanë probleme teknike me transferimin e mjeteve. Qeveria dhe ART-ja kërkojnë dëshmi për pagesën, në të kundërtën vlerësojnë se ky konsorcium humb të drejtën si fitues…

Sipas rregullores, radha është për të dytin në listë, “Mobitel-Ipko-net”. Por, fletëregjistrimi i kompanisë sllovene, meqë figuron aksionare edhe në “Kosmocell”, ka shtuar dyshimet për “tërheqje taktike”.

Prishtinë, 20 shkurt 2007 – Telefonia mobile në vend sërish filloi me një maratonë të re shtyrjesh. Konsorciumi “Kosmocell”, i shpallur fituesi i tenderit për operatorin e dytë mobil, nuk e ka paguar shumën e ofruar prej 81 milionë eurove, ndërsa zyrtarët e tij janë duke kërkuar një shtyrje dyditore, gjë e cila deri në orët e mbrëmjes është refuzuar nga zyrtarët e Qeverisë së Kosovës. Arbër Arifi, përfaqësues i konsorciumit fitues, tha për “Lajm” se problemi më shumë ka të bëjë me çështje teknike sesa të ndonjë natyre tjetër.

“Arsyeja pse sot nuk është bërë pagesa ka të bëjë me një transaksion të mjeteve nga një bankë zvicerane”, tha Arifi.

Ndërkohë, ministri i Ekonomisë dhe Financave, që vetëm një ditë më parë dukej “tolerant”, tha se nëse konsorciumi gjatë ditës së sotme nuk sjell dëshminë e pagesës, atëherë do ta humbë të drejtën e fituesit. Shatri tha se këtë e definon shumë qartë ligji dhe kjo vlen për të gjithë. Sipas tij, e vetmja gjë që mund të bëjë që ata të presin derdhjen e parave në konton e Buxhetit të Kosovës është një dëshmi reale që paratë të jenë në transaksion e sipër dhe për këtë konsorciumi të ketë një dëshmi. Mirëpo, Arifi i tha “Lajmit” se po ashtu kompania nuk ka marrë ndonjë konfirmim nga banka zvicerane. Por, edhe kreu i ART-së, Anton Berisha, deklaroi se “Kosmocell” nuk i ka paguar paratë dhe afati nuk mund të shtyhet. Sipas tij, e marta ka qenë dita e fundit dhe rregullorja është shumë e qartë se si të vazhdohet me tutje. Por, derisa Shatri e Berisha janë decidivë se e marta është “dead-line”, Arifi thotë se realisht ata do të duhet të kishin edhe dy ditë të tjera në dispozicion.

“Ne, realisht, shkresa se jemi shpallur fitues zyrtarisht na është thënë më datën 8 dhe jo më 6, atëherë kur edhe është shpallur në media, dhe rrjedhimisht ne duhet të kemi afat deri më 22 të këtij muaji”. Por, Shatri dhe Berisha thonë se janë më të “prirë” ta shohin rregulloren se sa t’i dëgjojnë deklaratat, dhe sipas tyre nëse pagesa nuk bëhet sipas rregullores i hapet dera konkurrentit të dytë.

Tërheqja eventuale e “Kosmocellit”, gjë që duket shumë afër, do ta lërë më të varfër Buxhetin e Kosovës për së paku pa 6 milionë euro, shumë kjo që njëherësh është edhe diferenca midis këtij konsorciumi dhe atij të përbërë nga “Mobitel-Ipko-net”, që realisht ka ofruar 75 milionë euro.

Ndërkohë, jo vetëm kaq, por një tërheqje e tillë është përfolur edhe si mundësi e implikimit të afaristëve të njëjtë në të dyja konsorciumet. Këtij pështjellimi i ka “kontribuar” edhe një fletëregjistrim biznesi, në të cilën si bashkëpronarë të “Kosmocellit” figurojnë përfaqësuesit e “Dukagjinit” dhe “Mobitelit”, megjithëse kjo është hedhur poshtë nga drejtuesit e këtyre kompanive, por dyshimet për tërheqje taktike mbeten serioze.

ECIKS / Gazeta Lajm