Prishtinë, 21 shkurt – Në fund të vitit të kaluar, kapitali i gjashtë bankave komerciale që operojnë në vend ka arritur në 105 milionë e 816 mijë euro. Për dallim nga shtatori i vitit të kaluar, kur kapitali i bankave në vend ishte 98 milionë e 372 mijë euro, në fund të vitit 2006 kapitali i bankave është rritur për 7 milionë e 500 mijë euro. Rritje më e madhe e kapitalit vërehet te bankat me kapital të huaj, “Raiffeisen Bank” dhe “Pro Credit Bank”. Për dallim nga shtatori, këto banka në fund të vitit të kaluar kanë rritur kapitalin për 6 milionë e 431 mijë euro, duke arritur në 69 milionë e 965 mijë euro. Ndërsa bankat me kapital vendor, nga 34 milionë e 782 mijë euro, sa kanë pasur totalin e kapitalit në shtator të vitit të kaluar, në fund të vitit e kanë kapitalin 35 milionë e 853 mijë euro. Përveç “Raiffeisen Bank” dhe “Bankës për Biznes”, të cilat i kanë ndryshuar aksionet në bankë në fundvitin e kaluar, te bankat tjera që veprojnë në vend aksionet nuk janë ndryshuar. Për dallim nga nëntori i vitit të kaluar, në fund të vitit aksionet në “Raiffesien Bank” janë rritur për 5 milionë 250 mijë euro, ndrysa në “Bankën për Biznes” në po të njëjtën periudhë aksionet janë zvogëluar për 492 mijë euro.
ECIKS / Gazeta Lajm