Kosmocell i gatshëm për fillimin e punës

Prishtinë, 9 shkurt – Kompania fituese e tenderit të telefonisë mobile “Kosmocell”, e cila përbëhet nga konzorciumi italianoamerikan ( CSC, Omni dhe Eurotel), që ka 50 për qind të aksioneve, dhe kompanitë vendore “Dukagjini” dhe “Kujtesa”, do ta shfrytëzojë prefiksin e shtetit italian, i cili do të jetë +39374. Arbër Arifi, pronar I kompanisë “Kujtesa”, tha se, sipas marrëveshjes së konzorciumit, menaxhmenti italiano-amerikan e ka për obligim t’i bëjë investimet. “Kompanitë e huaja në konzorcium do të sigurojnë kapitalin për investimet, prefiksin, numeracionin, kodin dhe romingun. Po ashtu, ata i kanë siguruar edhe paratë e licencës”, tha Arifi. Sipas tij, me ofertën është dorëzuar edhe garancia bankare. Sipas Ligjit për telekomunikacion, operatori i dytë me operatorin ekzistues duhet të kenë ndërlidhje mes vete që trafiku të mos bëhet në mënyrë internacionale dhe të shtrenjtë. Sipas Arifit, thirrjet prej “Kosmocell” në “Vala” do të jenë më të shtrenjta se thirrjet “Kosmocell”-“Kosmocell”. “Ne nuk jemi të obliguar që të kemi bashkëpunim me operatorin ekzistues në koordinim të çmimeve dhe nuk do të kemi kurrfarë marrëveshje me ‘Valën'”, tha Arifi. Sipas tij, sa për fillim do të investohen 200 milionë euro, duke përfshirë edhe licencën, si dhe do të punësohen 550 punëtorë. “Janë duke u bërë përgatitjet që projekti të fillojë të implementohet”. Anton Berisha, kryetar i Bordit të Autoritetit Rregullator të Telekomunikacionit (ART), tha se deri në zgjedhjen e kodit Kosova do t’i shfrytëzojë prefikset e huaja. Berisha nuk ka dashur të komentojë se si do të funksionojnë dy operatorët mes vete “Vala” dhe “Kosmocell”.

“Për këtë punë është herët të flitet, ende nuk ka përfunduar tenderi, kompania është shpallur kompania e preferuar e jo fitues”, tha Berisha. Ai shtoi se në momentin kur bëhet pagesa dhe përfundojnë procedurat e tjera teknike, atëherë mund të komentohet kjo çështje”. Përfaqësuesit e konzorciumit “Kosmocell” premtojnë se do të jenë ndër kompanitë e rralla në Evropë që do të ofrojnë shërbime të katërfishta, Internet, Voip, telefoni mobile dhe video, e cila do të jetë me një paket “, tha Arbër Arifi, pronar i kompanisë “Kujtesa”.

ECISK / Gazeta Lajm