Konferencë për ardhmërinë e Kosovës në Vjenë

Vjenë, 21 mars 2007 – Sot në Vjenë është mbajtur nje konferencë me temë të ardhmen e Kosovës. Në konferencën e organizuar nga Instituti për Regjionin e Danubit dhe Evropën Qendrore (IDM) dhe nga Nisma Ekonomike për Kosovën (ECIKS) kanë diskutuar ekspertë dhe përfaqësues nga lëmi i politikës, ekonomisë dhe shoqërisë civile. Konferenca është përcjellur nga mbi 200 persona, në mes tyre edhe shumë përfaqësues të korit diplomatik në Vjenë.

Stefan Lehne, përfaqësues i BE-së në procesin e definimit të statusit final të Kosovës, Veton Surroi, udhëheqës i partisë ORA dhe anëtar i ekipit të unitetit dhe Prof. Vojislav Mitic nga Lëvizja për një Serbi Evropiane fillimisht kanë paraqitur pikëpamjet e tyre për procesin në të cilin kalon Kosova sot dhe perspektivat politike për të ardhmen.
Veton Surroi, në mes tjerash, ka thënë se takimi i fundit i përfaqësuesve kosovarë dhe atyre serb me 10 mars në Vjenë paraqet jo vetem fundin e procesit negociator për statusin final të Kosovës por edhe fundin e gjithë procesit të dezintegrimit të ish-Jugosllavise.

Diskutimet kanë vazhduar në tri panele, atë politik, panelin ekonomik dhe panelin për perspektivat e shoqërisë. Në panelin ekonomik, që është organizuar nga Nisma Ekonomike për Kosovën – ECIKS, përfaqësuesi i kësaj organizate , Kujtim Dobruna, ka paraqitur mundësitë që i ofron Kosova për investitorët e huaj dhe ka informuar publikun për shërbimet që i ofron zyra e Agjencisë Kosovare për Promovimin e Investimeve në Vjenë, zyre kjo që implementohet nga ECIKS. Për gjendjen ekonomike në Kosovë kanë folur edhe përfaqësuesit e Bankës Botërore, Agjencisë Austriake për Zhvillim dhe institucioneve tjera ekonomike në Vjenë. Në këtë panel kanë qenë të pranishëm edhe investitorë potencial nga Austria të interesuar për Kosovën

Në panelin për perspektivat shoqërore, krahas ish ministrit austriak të mbrojtjes, Fridhelm Frischenschlager, ka diskutuar edhe Beqë Cufaj, publicist kosovar dhe themelues i Iniciativës Evropiane të Kosovës.
Theksi në këtë panel të diskutimit ishte roli i misionit të ardhshëm të BE-se në Kosovën e pas-statusit.

Komunikatë për shtyp e ECIKS, 21.03.2007