Konferenca e donatorëve ende pa datë dhe prioritete

Prishtinë – Qeveria vazhdon të lëkundet ndërmjet strategjisë së hartuar nga qeveria e kaluar dhe prioriteteve të reja që do të duhet të prezantohen në konferencën e donatorëve për Kosovën. Ende nuk është caktuar data e mbajtjes së kësaj konference, ndërsa fjalën kryesore për kohën e mbajtjes së saj e ka Komisioni Evropian. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha për “Lajm” se ende nuk mund të japë një datë të saktë të mbajtjes së kësaj konference, por shtoi se së bashku me donatorët janë duke i bërë përgatitjet për këtë. “Jo, ende nuk është caktuar data e mbajtjes”, tha ai.

Edhe në Zyrën e Komisionit Evropian në Prishtinë nuk mund ta konfirmojnë datën e mbajtjes së kësaj konference, ndërsa burime qeveritare bëjnë të ditur se Komisioni si kohë më të përshtatshme e ka parë qershorin e këtij viti. Përgjegjësja për informim në këtë zyrë, Fjolla Çeku, nuk mundi të konfirmojë ndonjë datë dhe as se ku kanë mbërritur përgatitjet për këtë konferencë. Megjithatë, Qeveria aktuale vazhdon ta shqyrtojë projektin e përgatitur nga qeveria e mëparshme dhe ajo ende nuk ka vendosur se çfarë do të zhvendosë nga lista e prioriteteve e hartuar nga qeveria e mëparshme. Ish drejtuesi i MEF-it, Haki Shatri, thotë se kjo qeveri e kishte gjithçka gati. “Ne gjithçka e kishim gati dhe atë kohë mbeti vetëm përcaktimi i statusit dhe pastaj mbajtja e konferencës së donatorëve”, tha ai për “Lajm”.

Përderisa dikasteri i drejtuar nga ministri Ahmet Shala nuk dëshiron të japë detaje për prioritetet e veçuara për të cilat do të kërkohen mjete në këtë konferencë, ish- kreu i MEF-it, Haki Shatri, tha se sundimi i ligjit dhe shteti i së drejtës kanë qenë kryesoret dhe për këtë është parashikuar që të kërkohet 100 milionë euro për pesë vjetët e ardhshme. “Energjia ka qenë sektori i dytë prioritar, më pas zhvillimi i bujqësisë, ashtu si edhe arsimi, infrastruktura që lidhet me zhvillimin ekonomik, komunikimet dhe lëmenjtë që merren me faktorin human”, tha ai për “Lajm”. Dokumenti i atëhershëm është harmonizuar me donatorët si Komisioni Evropian, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore dhe, sipas Shatrit, atë kohë dokumenti është vlerësuar me tone mjaft pozitive nga konsulenca.

Në anën tjetër, Muhamet Sadiku, i cili ka drejtuar punën gjatë hartimit të Strategjisë së Përgjithshme për Zhvillimin e Kosovës (SPZHK), tha për “Lajm” se ka ardhur koha që tani prioritetet të reflektojnë një konsensus të shoqërisë kosovare e jo një qeverisje pa e marrë parasysh shoqërinë e vendit. “Bashkëpunimi i institucioneve qeveritare me shoqërinë do të tregojë se çka është prioritare në këtë fazë të zhvillimeve. Pas prioriteteve duhet të qëndrojë një punë analitike dhe një proces inkluziv i shoqërisë. Kjo duhet të jetë rruga që duhet ndjekur gjatë orientimit të mjeteve buxhetore dhe të mjeteve të donacioneve”. Në kuadër të SPZHK-së ka pasur konsultime gjithëpërfshirëse me të gjitha segmentet e shoqërisë kosovare, ndërsa pjesë nga ky dokument janë marrë parasysh edhe në dokumentin e hartuar nga qeveria e mëparshme për Konferencën e donatorëve. “Nuk është koha e improvizimeve me prioritete, sepse Kosova duhet të zërë hapin në procesin e integrimeve evropiane. Tani në situatën e re Kosova duhet të ketë pronësi të plotë në përcaktimin e prioriteteve të veta”.

Ndërsa, kohë më parë edhe shefi i misionit të Komisionit Evropian në Prishtinë, Renzo Davidi, është shprehur se prioritetet duhet të veçohen nga vetë Qeveria e Kosovës.

Marrur nga Gazeta Lajm