Kompania austriake investon në përpunimin e perimeve në Kosovë

Vjenë, 5 mars 2008 – Nisma Ekonomike për Kosovën (ECIKS) me seli në Vjenë, që përfaqëson Agjencinë Kosovare për Promovimin e Investimeve në regjionin gjermanofolës vazhdon të sjellë investime të huaja në Kosovë.

Projekti i radhës që është identifikuar dhe përkrahur nga ECIKS sjell rreth gjysmë milioni euro investime në sektorin e bujqësisë, më saktësisht në mbjelljen, kultivimin dhe përpunimin e perimeve në Kosovë për nevojat e tregut austriak.

Kompania austriake Kolm Pfluger në bashkëpunim me kompaninë kosovare Etlinger nga Shtimja dhe me mbështetje financiare të Agjencisë Austriake për Zhvillim – ADA do të investojë rreth gjysmë milioni euro në prodhimin e specave, trangujve dhe fafaronave cilësor për nevojat e tregut austriak. Ky projekt që do të shtrihet në regjionin e Shtimjes dhe të Suharekës do të krijojë rreth 100 vende të reja të punës për bujqit e këtij regjioni. Një pjesë e këtyre produkteve do të mbjellet dhe kultivohet edhe nga kooperativa Agrobiznesi e Krushës.

ECIKS që nga viti 2005 ka veçuar sektorin e teknologjisë informative dhe të bujqësisë si sektorë me shumë potencial për investime të huaja. Kohë më parë ECIKS ka sjellë investimin e parë në sektorin e IT-së përmes të të cilit kompania austriake Wertheim dhe ajo kosovare Rrota do të realizojnë një softuer për njohjen biometrike të të dhënave.

Në ndërkohë, zyra për promovimin e investimeve në Vjenë e udhëhequr nga ECIKS mbetet e angazhuar në mbështetjen e projekteve tjera serioze, të cilat pritet të realizohen gjatë muajve të ardhshëm, si dhe një numri të madh të projekteve për të cilat ende kërkohen investitorë të huaj.

Që nga hapja e zyrës në nëntor 2006 janë identifikuar 579 investitorë potencialë, 71 prej të cilëve i kanë shfrytëzuar shërbimet që ofron kjo zyrë, ndërsa mbi 30 investitorë potencial janë duke i shfrytëzuar aktualisht këto shërbime. Në këtë periudhë janë organizuar edhe 35 vizita të investitorëve potencial në Kosovë.

Kompania Kolm Pfluger është e dhjeta me radhë që investon në Kosovë me përkrahjen e ECIKS.

ECIKS