Kompletohet pyetësori për tregti me BE-në

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka përfunduar përgjigjet e pyetësorit për marrëdhënie tregtare me Bashkimin Evropian.

Ministri Lutfi Zharku, gjatë takimit të Këshillit Ndërministror për tregtinë, në të cilin ka marrë pjesë edhe kryeministri Hashim Thaçi, ka bërë të ditur se drafti prej 217 përgjigjeve tashmë është finalizuar dhe i është dorëzuar Zyrës së Kryeministrit.

Me këtë rast, kryeministri Thaçi tha se me marrjen e pyetësorit për marrëdhëniet tregtare me BE-në, Kosova ka hyrë në fazën konkrete të rrugës së integrimeve. Sipas tij, ky është një hap jashtëzakonisht i madh në këtë drejtim.

“Kjo mundësi që është dhënë nga shtetet anëtare të BE-së, është një mbështetje unike evropiane, por në të njëjtën kohë është përgjegjësi për ne si shtet që të përgjigjemi konkretisht këtij procesi”, tha ai.

Lutfi Zharku, ministër i Tregtisë dhe Industrisë tha se përveç përshkrimit për situatën në ekonomi, në pyetësor janë paraqitur edhe aktivitetet e ministrisë dhe planet në të ardhmen.

Iniciativa për një marrëveshje në fushën e tregtisë është lansuar në Prishtinë nga komisionari për Zgjerim i BE-së, Stefan Fule, gjatë vizitës së tij të fundit në vendin tonë.

ECIKS