Kompania austriake kryeson tregun rumun të sigurimeve

Grupi austriak Wiener Städtische renditet i pari në tregun rumun të sigurimeve, nëpërmjet kompanive që ai kontrollon, me një volum primesh prej 130 milionë eurosh për gjysmën e parë të 2005-ës

Vjenë, 13 shtator 2005 – Konkurrenca në tregun rumun të sigurimeve po rritet ndjeshëm me kalimin e kohës. Kështu, grupet më të mëdha siguruese në këtë shtet kanë bërë publike të ardhurat për gjashtëmujorin e parë të këtij viti. Në listën e përbërë nga mbi 30 kompani siguruese, i pari renditet grupi austriak i sigurimeve, Wiener Städtische, në tregun e sigurimeve të Rumanisë, nëpërmjet kompanive që ai kontrollon me një volum nga primet në shumën e 130 milionë eurove për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, një rezultat ky më i lartë se ai i njoftuar nga kompania e dytë më e madhe në vend, Allianz-Tiriac Asigurari, e cila ka grumbulluar shumën e 110 milionë eurove për gjashtëmujorin.

Kompanitë e grupit Omniasig grumbulluan 325 milionë leu rumunë nga sigurimi i jetës dhe ai i përgjithshëm. Ndërkohë, kompania tjetër rumune e sigurimeve, e zotëruar nga Wiener Städtische, Unita, regjistroi prime në shumën e 148 milionë leu në të dy segmentet e tregut, pasuar nga Agras, e cila për gjashtëmujorin e parë të vitit siguroi të ardhura në shumën e 20 milionë leu. Një konkurrent i rëndësishëm i tregut rumun të sigurimeve, kompania Asirom, siguroi nga primet rreth 98 milionë euro deri në fund të qershorit.

Sipas raportit vjetor të Komisionit Mbikëqyrës të Sigurimeve (CSA), Allianz-Tiriac Asigurari renditet e para, përsa i përket sigurimit të brendshëm, me 21,4 për qind të tregut. Ndërkohë që rezultatet e gjashtëmujorit tregojnë se kompania austriake Wiener Stadtische është kryesuesi i vetëm në tregun e brendshëm të sigurimeve.

Sipas drejtuesit të kësaj kompanie, targeti i kompanisë është të arrijë të mbajë vendin e parë, si për vitin 2005 ashtu edhe për 2006-ën. Aktualisht Wiener Städtische kontrollon kompaninë rumune Unita me 99,99 për qind të aksioneve të saj, dhe Omniasig me 72,8 për qind të aksioneve, ndërkohë që ka pjesë edhe në kompaninë tjetër të sigurimeve Agras.

Wiener Städtische është një nga lojtarët më të rëndësishëm në tregun e sigurimeve në Europën Qendrore dhe atë Lindore. Grupi është prezent në 15 shtete, përfshi edhe Austrinë. Gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti ky grup raporti një volum primesh në shumën e 2,44 miliardë eurove, ndërkohë që fitimi bruto arriti në 125,3 milionë euro. Vetëm gjatë muajve të parë të këtij viti Wiener Städtische ka blerë kompani sigurimi në Republikën Çeke, Poloni, Rumani, Kroaci dhe Ukrainë.

ECIKS / Biznesi