KEK tremb hajnat

Prishtinë, 13 nëntor — Pavarësisht faktit që Kosova ka mungesë të furnizimit me energji elektrike, në vendin tonë edhe ajo rrymë që prodhohet vidhet mbi 50 për qind. Por Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) është duke menduar se këtyre vjedhjeve u ka ardhur fundi. Kjo korporatë tashmë ka filluar të ndërmarrë një aksion, i cili ka për qëllim ndalimin e keqpërdorimeve të energjisë elektrike. Sipas disa të dhënave të cilat KEK-u i ka treguar nga aksioni i ndërmarrë, humbjet e rrymës janë zvogëluar dukshëm. Përqindja e uljes së keqpërdorimeve, sipas zyrtarëve të KEK-ut, është zvogëluar për një të tretën, duke kaluar nga 54 për qind në 36 për qind.

“Aksioni ka filluar në tërë Kosovën dhe ekipet tona janë duke punuar me intensitet të lartë në këtë aksion. Në qendrat të cilat ky problem është më i theksuar, kemi dërguar më shumë ekipe. Vetëm në Ferizaj janë duke punuar 34 ekipe, por edhe Prizreni është vend i cili ka paraqitur problem sa i përket keqpërdorimeve. Ndërsa edhe në Prishtinë do të punohet në këtë mënyrë”, tha Nezir Sinani, menaxher për palë të interesuara në KEK. Sipas të dhënave të KEK-ut, humbjet të cilat i shkaktohen kësaj korporate nga konsumatorët e pandërgjegjshëm janë rreth 11 milionë kilovat orë energji elektrike. “Ne kemi filluar këtë aksion i cili është më i intensifikuar se më parë. Kemi zbuluar se keqpërdoren rreth 11 milionë kolovat orë energji elektrike. Jemi duke punuar në të gjitha pjesët e terrenit, në mënyrë që këto humbje të ndalen”, tha Arben Gjuka, drejtor i divizionit të rrjetit në KEK
Nga mungesa e furnizimit me energji elektrike, ankesat e komunitetit të biznesit kosovar kanë qenë të shumta. Sipas tyre, shpesh herë ka ndodhur që nga rryma t’u shkaktohen probleme në makinat e tyre të punës. Ndërsa burime të gazetës njoftojnë se janë identifikuar një numër i madh i bizneseve, të cilët keqpërdorin energjinë elektrike.

“Besohet se në radhët e keqpërdoruesve hynë edhe një numër i madh i bizneseve. Nga ajo që kemi kuptuar janë më shumë se 60 biznese keqpërdorues të energjisë elektrike”, tha ky burim. Ndërkaq, Sinani u shpreh se aksionin të cilin e kanë marrë është i përkrahur edhe nga institucionet e vendit. “Procesi për ndalimin e keqpërdorimeve të energjisë elektrike ka filluar muaj më parë, por intensifikimi i punës ka ndryshuar ditëve të fundit. Normalisht se kemi edhe mbështetjen e institucioneve. Ndërsa puna jonë është duke vazhduar edhe me asistencën e ShPK-së”, shtoi Sinani.

Marrë nga Gazeta Express