Kastrati: Duhet qetësi për një ekonomi të qëndrueshme

Prishtinë, 5 maj 2004 – “Më shumë se kurrë na duhet qetësia për ta zhvilluar një ekonomi stabile, andaj jemi kundër trazirave”, ka deklaruar sot kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Ismail Kastrati gjatë një takimi, në Prishtinë, me biznesmenin amerikan Hanri Pinkenshtajn dhe ka shtuar se ; “Kemi kapacitete energjetike dhe kapacitete rezervë të thëngjillit, të cilat po të përdoreshin për prodhim të rrymës, do të furnizohejë edhe një pjesë e rajonit”. Ai gjithashtu pohoi t’i ketë bërë të ditur Pinkenshtajn se privatizimi në energjetikë nuk ka filluar ende në Kosovë, mirëpo me rikonstruimin e saj do të bëhet një gjë e tillë. Biznesmeni Pinkenshtajn tha se është interesuar rreth privatizimit të energjetikës, prodhimit të saj, pastaj për magjistralen e cila do ta lidhë Kosovën me Shqipërinë, si edhe në anën tjetër Merdar-Nish. Me këtë magjistrale Kosova do të ketë dalje në det dhe një gjë e tillë Kosovës i është dashur edhe më herët, ka pohuar Pinkenshtajn, për të shtuar se këtë autostradë duhet ta përcjellë edhe hekurudha. Pinkenshtajn është interesuar për të gjitha projektet ekonomike që ka bërë OEK-u dhe projektet e tjera në infrastrukturën rrugore. “Ne do të jemi bashkë për të përparuar Kosova,” tha ai duke i premtuar palës kosovare se, po të mirren leja nga UNMIK-u për projektet si autostrada, ka mundësi që ato të financohen menjëherë dhe se “ne do të merrnim leje më lehtë nga Banka Botërore për të investuar në këto projekte” , ka thënë Pikenshtajn. “Në Kosovë nuk ka asnjë kilometër rrugë të ndërtuar të nivelit ndërkombëtar dhe magjistralja e paraparë Shqipëri-Kosovë-Serbi është paraparë të jetë e nivelit ndërkombëtar,” ka vlerësuar Kaqusha Jashari, drejtoreshë në Drejtoratin e Rrugëve të Kosovës, për të shtuar se në qoftë se rregullohet një gjë e tillë nuk do të përfitojë vetëm Kosova, por edhe tërë Ballkani.

ECIKS/Balkanweb